Edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar prania e variantit indian të koronavirusit, të quajtur “Delta”, 24 orët e kaluara kanë sjellë shtim të rasteve të infeksionit.
pjimage – 2021-07-08T083919.370
Kështu, pas shumë ditësh me një numër minimal rastesh të reja, nën 10, të mërkurën janë raportuar 13 persona pozitivë me COVID-19.
Veç kësaj çfarë ka shtuar edhe më tej dyshimet është fakti që dy persona në qarkun e Gjirokastrës kanë shfaqur simptoma të ngjashme me atë të variantit indian të koronavirusit.
Nga salla e Kuvendit dje Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin e ri, ndërsa situata është nën monitorim.
“Kërcënimi ‘Delta’ mbetet një kërcënim real, serioz edhe për vendin tonë, në një kohë kur po qarkullon në 90 vende të botës dhe ashtu sikurse evidencat tregojnë, ka një përhapje të shpejtë, të egër, edhe në disa vende europiane, edhe në vendet e rajonit.
Strukturat tona janë në situatë alerti, për të monitoruar të gjitha rastet. Aktualisht nuk kemi një prezencë të këtij varianti në Shqipëri, pra nuk kemi sinjale laboratorike që tregojnë që ky variant po qarkullon në vendin tonë, por ne jemi duke monitoruar çdo rast, me shumë kujdes”, tha ministrja.
ISHP
Ndërkohë, përmes një njoftimi zyrtar edhe Instituti i Shëndetit Publik ka hedhur poshtë zërat për mbërritjen e variantit të ri.
ISHP vë në dukje se po monitoron me kujdes situatën e epidemisë së Covid-19 në vend dhe për çdo rast të dyshuar do të bashkëpunojë me institucionet e referencës, çka nënkupton se analizat do të dërgohen jashtë vendit.
Në këto kushte, për të mësuar nëse qarkullon apo jo varianti i ri në vendin tonë, do të na duhet të presim ditë me radhë, për të mos thënë javë.
“Instituti i Shëndetit Publik informon se deri tani në Shqipëri nuk është identifikuar asnjë rast i variantit ‘Delta’. Pavarësisht numrit të lartë të testimeve, nuk kemi sinjale për prezencën e këtij varianti në vendin tonë. Instituti i Shëndetit Publik po monitoron me kujdes situatën e epidemisë së Covid-19 në vend dhe për çdo rast të dyshuar do të bashkëpunojë me institucionet e referencës, gjë e cila është pjesë e praktikës së punës së këtij institucioni”, thuhet në reagimin zyrtar.
Por cilat janë simptomat apo shenjat që shfaqin pacientët e infektuar me variantin e ri?
Duke analizuar të dhënat e pacientëve, mjekët thonë se dhimbja e kokës dhe e fytit janë ndër simptomat më të shpeshta që kanë raportuar personat e infektuar me variantin e ri.
Po ashtu, një nga simptomat që kanë raportuar të infektuarit me variantin “Delta” është rrjedhja e hundëve.
SITUATA
Lidhur me situatën epidemiologjike në vendin tonë, të mërkurën nuk është raportuar asnjë humbje jete si pasojë e koronavirusit, por ajo që duket qartazi është një rritje e shifrave të infeksionit.
Kështu, në 24 orët e kaluara janë regjistruar 13 persona të prekur nga COVID-19 nga rreth 2 mijë testime të kryera.
“Në 24 orët e fundit janë kryer 2007 testime, nga të cilat ka rezultuar pozitivë me Covid19 13 qytetarë, në këto bashki: 3 raste në Lushnjë, 2 raste në Korçë, Elbasan, Rrogozhinë, nga 1 rast në Fier, Tropojë, Gjirokastër, Roskovec. Aktualisht janë 66 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim spitalor të specializuar 3 pacientë. Në 24 orët e fundit nuk ka asnjë humbje jete me Sars-Cov2 pozitiv. Janë shëruar 2 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,035 që nga fillimi i epidemisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!