Epidemiologu, Ilir Alimehmeti iu ka bërë thirrje qytetarëve që të mos përfshihen nga paniku prej variantit “Delta”. Sipas tij edhe pse ky variant ka mbërritur në Shqipëri rrezikshmëria është shumë e ulët.
Ndërsa bëri krahasim me vendet fqinje, epidemiologu tregoi se vendi ynë ka shumë më pak gjasa për rritjen e të infektuarve. Gjithsesi, sipas Alimehmetit, duhet të presim dy javët e ardhshme për të barë efektet reale të këtij mutacioni.
“Unë së pari dua të bëjë të qartë se nuk ka vend për panik pas konfirmimit të pranisë së variantit “Delta” të COVID-19 në Shqipëri.
Duhen dy javë për të kuptuar trajektoren e infektimeve. Kjo javë ka qenë e qëndrueshme me incidencë të ulët. Greqia e ka 292 incidencën për 100 mijë banorë ndërsa ne e kemi 9, shumë më të ulët”, tha epidemiologu gjatë një interviste televizive. Ndër të tjera, Alimehmeti tha se personat që e kanë kaluar njëherë koronavirusin dhe ata që janë vaksinuar janë më pak të rrezikuar nga variantet e reja.
Sipas tij, këta persona mund të riinifektohen nga “Delta”, por që e kalojnë me simptoma fare të lehta, madje edhe pa e kuptuar fare.
“Personat që e kanë kaluar njëherë COVID-19 edhe në rast se infektohen me variantin “Delta” ata nuk shfaqin simptoma të rënda pasi kanë krijuar imunitet natyror. Gjithashtu e njëjta gjë vlen edhe për personat që kanë marrë dy doza të vaksinave kundër virusit. Këto dy grupe janë të mbrojtura pasi mund ta kalojnë me efekte të lehta”, tha ai.
Sakaq, Alimehmeti tregoi se, vdekjet e shkaktuara nga varianti “Delta” që u përhap nga India, janë shtatë herë më të pakta se sa numri i fataliteteve të shkaktuara nga varianti britanik “Alpha”. “Të dhënat flasin se vdekshmëria është 0.3% ndërsa me rastin “Alfa” është përllogaritur 2.0%. Vdekshmëria për variantin “Delta” është shtatëfish më e ulët duke marrë parasysh terrenin që ka më shumë njerëz qe kanë kaluar dhe vaksinime ka më shumë”, përfundoi mjeku.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!