Kanë mbërritur sonte në Kosovë 27 personat, të cilët i mbijetuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.
Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” ata janë pritur nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Drejtuesit e lartë të shtetit shprehën ngushëllime për jetët e humbura në aksidentin tragjik dhe të lënduarve u uruan shërim të shpejtë, duke i siguruar se do ta kenë përkujdesin institucional.
Presidentja Osmani tha se “në tragjedinë e Slavonski Brodit ne nuk i humbëm vetëm bashkatdhetarët tanë. Aty humbëm një copë të shpirtit tonë, një pjesë të asaj që është shtylla jonë e përbashkët e dhimbja jonë e përhershme: mërgimtarët”.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca iu shprehu ngushëllime familjarëve që humbën më të dashurit në aksidentin tragjik dhe u uroi shërim sa më të shpejtë të lënduarve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, jeta është numërim ditësh deri te ardhja e radhës në atdhe.
“Pavarësisht se sa të mëdha janë distancat, ato zvogëlohen, se maten me zemër. Këtë të diel, rruga e gjatë nuk solli në atdhe një pjesë tonën të mërguar. Solli dhimbje për mbarë popullin. Këtë dhimbje sot e ndajmë bashkë dhe qëndrojmë të bashkuar në këtë tragjedi, si një familje e madhe që jemi”, u tha bashkatdhetarëve kryeministri Kurti.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!