Kur do martohesh apo sa e ke rrogën? Zbuloni sesi t’ju përgjigjesh pyetjeve që nuk u shpëton dot

Sa e ke rrogën? Do bësh ndonjë fëmijë tjetër? Kur do martohesh? Çfarë bën, lëviz, akoma beqar ti?

Jeni përballur ndonjëherë me të tilla pyetje ose edhe të tjera të kësaj natyre personale? Besoj se po, nuk u shpëton dot.

Ka njerëz që më tepër nga kurioziteti, sesa nga dashakeqësia i kalojnë kufijtë e marrëdhënieve. Mund të të kenë parë disa herë që kalon në rrugicën e lagjes dhe u duket se kanë të drejta të të pyesin për ca gjëra më tepër.

Për disa kjo mund të mos përbëjë asnjë problem, do të ishte një temë e mirë për bisedë madje. Ndërsa për disa të tjerë është tejkalim i caqeve.

Nëse je në këtë grupin e dytë si do reagoje nëse dikush do të të bënte një pyetje tepër personale? Do t’i ktheje përgjigje të sinqertë, të drejtpërdrejtë i kapur në befasi, do të talleshe, do bëje humor, do t’ia ktheje me të njëjtën monedhë?

Hë pra, më thoni çfarë duhet të bëjmë, si të reagojmë? T’ua kthejmë harbutçe se s’ka ç’u duhet apo se po fusin hundët ku nuk u takon?

Kjo është një alternativë, por jo më e mira. Do ndihesh keq pasi t’u kthesh kurrizin, do thuash pse u tregova aq i pasjellshëm. Ose edhe mund ta justifikosh veten duke nxjerrë kartën e reciprocitetit, por prapë do t’ju ngacmojë gjatë ditës ajo skena e përsëritur në mendje e sjelljes së pahijshme.

Atëherë si t’ia bëjmë? “Qesh e ngjesh” thotë populli dhe s’e ka keq. Humori është varianti më i mirë për shëndetin dhe fatin e vazhdimësisë së ditës. Kaloji me shaka situatat që mund të të shkaktojnë parehati dhe jeta vazhdon aty ku ishte para pyetjes së patakt ose edhe pas saj si të duash!

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP