Të gjithë qytetarët mbi 18 vjeç në Kosovë mund të regjistrohen dhe të vaksinohen kundër koronavirusit.
Në një njoftim të postuar në Facebook të martën pasdite, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës tha se caktimi i orarit është i mundur nga sot. Ministria tha se të interesuarit duhet të regjistrohen paraprakisht në platformën elektronike e Kosova. Kosova ka nisur vaksinimin kundër koronavirusit në fund të marsit.
Në të parën u është dhënë përparësi punonjësve shëndetësorë dhe personave mbi 80 vjeç. Nga mesi i majit është zhvilluar faza e dytë, që ka përfshirë personat e moshës 65 deri në 79 vjeç, ndërsa më 15 qershor ka nisur vaksinimi masiv.
Deri të martën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Kosovë janë dhënë 270,641 vaksina.
Mbi 72,400 qytetarë janë vaksinuar me nga dy doza. Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të këtij viti. Në muajin maj, Qeveria ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë me kompaninë farmaceutike Pfizer për blerjen e mbi një milion vaksinave të saj.
Kontingjentet nga Pfizer kanë nisur të arrijnë në fund të qershorit. Kosova ka pranuar edhe donacione vaksinash nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga Bashkimi Evropian dhe nga shtetet individuale.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!