Partizani zyrtarisht në turin e dytë të Conference League. “Të kuqtë” e Ilir Dajës prekën kualifikimin që në ndeshjen e parë në Elbasan, ku triumfuan me rezultatin 5-2 ndaj moldavëve të Sfintul George, megjithatë vlerësuan maksimalisht edhe takimin e kthimit, duke marrë një tjetër fitore.
Vendasit e nisën vrullshëm dhe fituan një penallti që në minutën e katërt, teksa ishte sulmuesi kryesor Volkov ai që gjuajti saktë dhe mposhti Alban Hoxhën, megjithatë përgjigja e Partizanit ishte e shpejtë, pasi Tedi Cara riktheu baraspeshën në minutën e 15’.
Solodovnicov riktheu avantazhin për moldavët në minutën e 22-të, por edhe këtë herë Sfintul nuk i bëri ballë reagimit të Partizanit, që barazoi me Stenio Junior tre minuta para fundit të pjesës së parë, duke shkuar në dhomat e zhveshjes mjaft e qetë.
Sulmuesi brazilian u bë protagonist edhe në fillim të pjesës së dytë, pasi shënoi golin e tretë për Partizanin, duke u dhënë “të kuqve” fitoren e dytë në po kaq ndeshje ndaj Sfintul George, teksa vlen të theksohet se një ndeshje të mirë bëri edhe Lucas Cardoso, që asistoi dy nga golat e kryeqytetasve.
Me dy fitore dhe rezultatin e përgjithshëm 8-4, Partizani kualifikohet bindshëm për në turin e dytë të Ligës së Konferencës, aty ku shorti nuk është treguar fort bujar, pasi u ka rezervuar përballjen me gjigantët zviceranë të Baselit.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!