Piu doza të mëdha ibuprofeni dhe u intoksikua, mjekja zbulon gjendjen shëndetësore të vajzës nga Ukraina

Mjekja e shërbimit të pediatrisë në spitalin “Petro Nako” në Sarandë, Eranda Andoni ka njoftuar se e mitura nga ukraina e cila mori doza të larta ibuprofeni është në gjendje të mirë shëndetësore.

Në një prononcim për Panorama.al, ajo thotë se vajza kishte pirë 5 tableta 400 miligramshe ibuprofen të cilat ia kishte dhënë gabimisht e ëma në vend që t’i jepte loperamidë pasi e mitura ishte me diarre.

Mjekja tregon momentin që kur erdhi e mitura në urgjencë e deri në dërgimin e saj me helikopterë në Tiranë.

“Sot në orën 07:45 në shërbimin e pediatrisë së spitalit “Petro Nako” në Sarandë është paraqitur një shtetas ukrainase 12 vjeçe pasi është intoksikuar nga ibuprofeni. Ka pirë 5 tableta 400 miligramëshe. Këtë ilaç ia ka dhënë nëna pasi ka ngatërruar medicament nga loperamidë në ibuprofen. Fëmija ka qenë ditën e djeshme me diare dhe nëna ka menduar se i ka dhënë loperamidë. Intoksacioni me 5 tableta për një fëmijë e ka kaluar dozën 1.5 gram që është doza e lejuar. Dhe është lajmëruar shefi i shërbimit të spitalit i cili informoi qendrën në Tiranë dhe pastaj erdhi helikopteri për ta transportuar. Gjendja fëmijës aktualisht është e mirë, në Sarandë u paraqit e mirë. Orën e parë ka bërë gjumë, kishte letargji. Parametrat i kishte normale. Gjatë konsultës me mjekët është vlerësuar për trajtim të specializuar në Tiranë” – tha Andoni.

Gjithashtu mjekja thotë se nëna ia ka dhënë 5 tabletat brenda 2 orësh përpara se ta dërgonte në urgjencë.

“Doza e madhe tek fëmijët krijon probleme nga më të lehtat tek më të rëndat. Më të lehtat janë dhimbje koke dhe barku. Ajo kishte vetëm dhimbje barku kur erdhi këtu. Efektet më të rënda janë përgjumja dhe koma. Për dy orë ia ka dhënë këto ilaçe dhe erdhi këtu në orën 07:45. Stafi i spitalit të Sarandës bëri ndërhyrjen e nevojshme, duke bërë analizat e nevojshme dhe është bërë konsulta pastaj” – tha mjekja.

Incidenti ndodhi mëngjesin e sotëm në Sarandë ku një e mitur nga ukraina kishte konsumuar një dozë të lartë ibuprofeni. Vajza e mitur ishte me diarre, ndërsa nëna e saj e ka ngatërruar medikamentin.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes