Presidenti Meta kujton Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës: Edhe Shqipëria ka patur ‘Mandelat’, u përndoqën nga regjime mizore për shkak të ideve

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka kujtuar Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës, duke vlerësuar figurën e tij.

Me anë të një postimi në Facebook, Kreu i Shtetit thotë se Mandela përfaqëson simbolin e vuajtjeve për mbrojtjen e lirive.

Po ashtu, Meta shkruan se edhe Shqipëria ka pasur “Mandelat” e veta, duke përmenduar At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin dhe Adem Demaçin. Presidenti thotë se këta figura u përndoqën nga regjime mizore për shkak të ideve dhe besimeve të tyre.

“Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës na risjell sot në vëmendje veprën dhe trashëgiminë e vlerave të një personaliteti të madh dhe të paharruar, simbol të vuajtjeve në emër dhe për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, i cili frymëzon në çdo kohë me angazhimin dhe përkushtimin e palodhur për paqen dhe pajtimin.

Në Shqipëri dhe në Kosovë ne kemi patur At Zef Pllumin, Pjetër Arbnorin, Adem Demaçin dhe mijëra ‘Mandelat’ tanë, të cilët për dekada me radhë u privuan nga liria, vuajtën dhe u përndoqën nga regjime mizore për shkak të ideve dhe besimeve të tyre, por mbijetuan për të na rrëfyer dhe inkurajuar për të qenë më tolerantë për idetë, besimet dhe kulturat e njëri-tjetrit, si dhe gjithmonë syçelët për mbrojtjen e demokracisë dhe pluralizmit”, shkruan presidenti Meta.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes