Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme “Orange Club” është vendosur sërish në qendër të vëmendjes. Një sherr i madh mes turistëve të huaj dhe rojeve të sigurisë ka ndodhur në lokalin e njohur tashmë për të gjithë për jetën e natës dhe sherret që herë pas here plasin.
I ftuari i mbrëmjes ka qenë këngëtari Noizy dhe duke qenë se një ndër reperët më të famshëm po performonte, qindra njerëz ishin mbledhur në lokalin më problematik kohëve të fundit.
Pas përfundimit të koncertit atëhere kur edhe ora shkoi drejt mbylljes së lokalit, mësohet se një grup turistash të huaj dhe të dehur kanë dashur që të hyjnë në lokal.
Nga rojet e sigurimit u është thënë turistëve se lokali është drejt mbylljes, por ata nuk janë mjaftuar me shpjegimin e tyre dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë pasi brenda ambienteve të lokalit dëgjohej muzika e cila vijonte.
Nga videot e publikuara shihet se truprojat e shumta në numër të Club “ORANGE” qëllojnë me grushta turistët e huaj, të cilët i përgjigjen me të njëjtë monedhë truprojave.
Pak momente pasi sherri është shuar, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur disa policë të cilët nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë larguar turistët, ndërsa adrenalina dhe muzika brenda në lokal ka vijuar normalisht edhe pse ora e vendosur nga autoritetet kishte kohë që kishte kaluar.
Nga videot e publikuara nga vetë Noizy shihen qindra persona në kohë pandemie të cilët “harrbohen” ngjitur me njëri-tjetrin, me muzikën e këngëtarit duke mos respektuar as orë policore dhe as masat për parandalimin e covid-19.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!