Kolonia e madhe e futbollistëve shqiptarë që përfaqësonin Zvicrën në arenën ndërkombëtare ka humbur një tjetër element të saj pas EURO 2020. Një nga emrat më të njohur ne dekadën e fundit të kësaj përfaqësueseje, Admir Mehmedi, ka vendosur t’i japë lamtumirën asaj edhe pse në moshën 30-vjeçare dhe me shumë vite para në futbollin profesionist.
Mehmedi ishte ai i cili me penalltinë e tij çoi Zvicrën për herë të parë në çerekfinalet e Europianit, duke mposhtur një superfuqi si Franca në EURO 2020. Duket se arritja në këto nivele e ka bindur Mehmedin që të largohet kur është në kulmin e tij. Kështu, pas 76 ndeshjesh, ai vendosi ta mbyllë karrierën me Zvicrën duke u përqendruar te karriera me Volfsburgun.
“Pas mendimeve të thella, u mor ky vendim. Ka qene gjithmonë dëshira ime të vendos kur të them lamtumirë vetë unë. Kohët e fundit, dëmtimet më kanë ngadalësuar.
Për shkak të një situate të tillë, arrita në konkluzionin që ishte momenti i duhur për të mbyllur karrierën time në kombëtare. Europiani ishte një mbyllje e jashtëzakonshme dhe që ia vlente. Jam krenar dhe mirënjohës që isha në gjendje që të përjetoja këtë turne me ekipin kombëtar për shumë vite”, tha ndër të tjera në mesazhin e tij në rrjetet sociale sulmuesi.
Ky ishte një vendim i cili ka lënë të pakënaqur trajnerin Vladimir Petkoviç, i cili shihte Mehmedin si një nga emrat e rëndësishëm të ekipit ku ai debutoi në vitin 2011. “Admiri më informoi për këtë vendim në një bisedë private. Me lojën dhe profesionalizmin e tij, ai ka kontribuuar shumë për zhvillimin dhe sukseset e ekipit tonë kombëtar. Ai meriton shumë falënderime dhe respekt për këtë”, tha Petkoviç, i cili sipas mediave zvicerane, ka qenë kundër këtij vendimi, por nuk ka bindur dot sulmuesin që të bëjë prapakthehu.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!