Qindra qytetarë, dhjetëra kamionë, autobusë dhe vetura të vogla prej më shumë se një ore janë bllokuar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës. Sipas informacioneve të mbërritura në newsbomb.al mëngjesin e sotëm, pala greke ka pezulluar punën pa arsye.
Siç shihet nga fotot, në të dyja anët Doganës kanë nisur të krijohen radhë të gjata mjetesh pasi asnjë nga udhëtarët dhe shoferët nuk ka qenë i njoftuar për pezullimin e punës. Sapo kanë mbërritur në Kakavijë, ata kanë parë që pala greke ka mbyllur sportelet dhe ka p ezulluar punën.
Deri tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Pika e Kalimit Kufitar për arsyet e këtij pezullimi që ka lënë në pritje qindra qytetarë në të dyja anët e kufirit. Këto radhë pritet të shtohen më shumë në orët në vazhdim pasi nga autoritetet e vendit fqinj nuk ka pasur dhe nuk ka ende asnjë mesazh e njoftim për arsyet e pezullimit të tyre.
Më shqetësues është fakti se mes qytetarëve që presin të kalojnë kufirin, ka fëmijë dhe të moshuar të cilët kanë dalë nga makinat, dhe qëndrojnë me shpresë për rikthimin në punë të doganierëve grekë. Të shumtë janë shqiptarët që kthehen në atdhe për të takuar familjarët e tyre dhe për të kaluar pushimet, ashtu si turistët e huaj.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!