Prokuroria e Pejës ka identifikuar dy shtetasit serb, të cilët janë filmuar disa ditë pas rasteve të helmimit në Deçan të Kosovës. Në bashkëpunim me Agjencinë e Inteligjencës së Kosovës është bërë identifikimi i tyre, emrat e të cilëve nuk bëhen ende të ditur.
Gjatë ditëve të fundit janë ngritur dyshime mbi këta dy shtetas të cilët janë filmuar pranë burimit të ujit në Deçan. Organi i akuzës në Kosovë po kryen hetime nëse ata kanë lidhje me helmimin masiv të qytetarëve nga uji i pijshëm.
“Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë. Sipas prokurorisë, është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!