18 vjeçarja i dha fund jetës me fostoksinë, vjehrra shpërthen në lot: Unë kam lënë kokën për atë, në shkollë e …

Detaje të reja kanë dalë në dritë pas ngjarjes së djeshme ku një 18 vjeçare nga fshati Çukas i Fierit i dha fund jetës duke konsumuar fostoksinë. Kanë folur për gazetaren e Klan News Anila Sefa, vjehrrit e së ndjerës.

Ata hedhin poshtë çdo dyshim se e reja mund të jetë presionuar psikologjikisht në atë shtëpi. Babai i 24 vjeçarit, Arben Drajçi thotë se çifti s’kanë pasur asnjëherë konflikte dhe se vajza bullizohej në shkollë. Ai thekson se nusja e tij ka konsumuar fostoksinën dhe e ka lajmëruar djalin e tij Entilo Drajçi, në ditën që sipas tij ajo kishte ardhur duke qarë nga shkolla.

“E di dhe familja e saj sa mirë e kemi mbajtur, besoj nuk do jenë në kundërshtim me këtë se po të ishin në kundërshtim mund të na e mbyllnin derën që ditën e parë atje. 99% i vjen nga shkolla, këto të dhëna i kemi deri diku. 99% i vjen nga shkolla. Edhe ditën që ka qenë në shkollë, mësuesit e mohojnë. Ajo ka qenë, e kemi të sigurt. Mund të ketë pasur këto xhelozitë e shoqeve. A ia kanë bërë kot, se ça, a qysh tek këtë nuk e di. Por, presion në këtë shtëpi nuk ka pasur kurrë! Na thanë se ka dalë nga shkolla duke qarë. Janë të regjistruara në telefon, i tha çunit më merr tek shtëpia se ashtu kemi një biznes të vogël e ndërrohemi në orën 3, sa e solli këtu…Iku për të pirë një kafe me të vëllanë, i shkruan, ato janë të gjitha atje, hajde se unë piva kokërr. Ta kishte pasur këtë presion ajo s’do i thoshte çunit hajde më merr, janë të gjitha të shkruara. Mendoj se këto portalet të jenë më të kujdesshme se edhe po të mos e kishim nuse djali, ne ndjejmë si prindër, jemi shumë të pastër në vetvete. Se ça thonë njerëzit, njeriut i ndodhka çdo gjë”, deklaroi vjehrri i së ndjerës.

Advertisements

Edhe bashkëshortja e tij, Sajmira, ka fjalët më të mira për nusen. Madje ajo e pikëlluar kërkon që të zbardhet e vërteta pasi nusen e konsideronte si vajzën e saj.

“Vajza ka qenë e mirë. Unë kam lënë kokën për atë, ça na bëri neve nuk e di”, thotë ajo duke qarë.

“Unë s’kam mirë çunin, thotë do bëj të njëjtën gjë që bëri ajo. E mbanim në pëllëmbë të dorës, nuk i mungonte asgjë, shkoja në punë dhe torturohesha thoja vetëm asaj mos t’i mungonte asgjë. I thoja o Bruna mos u mundo me asgjë moj zemër. Dy dhoma janë, rri e qetë. Goca ka qenë e ngarkuar nga shkolla. Nuk ma kanë lënë rehat. Edhe atë ditë që ka qenë për herë të fundit, më thanë ka ikur duke qarë. Pasi erdhi nga shkolla, ka ikur te nëna vet dhe i ka thënë nuk jam mirë. I tha çunit hajde se kam pirë helm“, shton më tej.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë u raportua mesditën e djeshme. Mësohet se të rinjtë ishin martuar prej një muaji, ndërsa policia ka dyshime se bashkëshorti i 18 vjeçares ishte tejet xheloz dhe se kishin zënka të vazhdueshme./tvklan.al

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes