Djalin në Tiranë e zë halli: E fejuara ime nuk bën dot fëmijë, prindërit më thonë ta lë, si t’ja bëj?

Nje person ka shprehur shqetesimin e tij tek psikologia per nje situate te veshtire qe po kalon, pasi prinderit po i kerkojne te lere gruan e cila nuk ben dot femije.

Përshëndetje Ervisa! Po kaloj një moment shumë të vështirë. E fejuara ime nuk lind fëmijë. Prindërit më kërkojnë të ndahemi. Në nerva e sipër e kam menduar ta bëj edhe këtë, po nuk kam mundur.

-Të falënderoj që më ke shkruar dhe e kuptoj shqetësimin tënd. Dua të të them si fillim se më vjen vërtet keq për reagimin e prindërve, një reagim aspak dinjitoz. Në situata të vështira prindërit janë të parët të cilët duhet të jenë mbështetës dhe t’u qëndrojnë afër fëmijëve të tyre, jo duke u treguar egoistë e duke vendosur për ta, pasi janë të rritur mjaftueshëm për t’i marrë vetë vendimet e tyre. Ata duhet të jenë aty për të falur dashuri dhe për të dhënë dorën si mbështetje. Megjithatë nuk është ky shqetësimi më i madh në situatën tënde. Dëshira për të patur fëmijë e për t’u bërë prind thuhet se lind bashkë me ne.

Ne duam të jetojmë përgjithmonë edhe atëherë kur nuk jemi më fizikisht, këtë e realizojmë duke trashëguar gjenet tona nëpërmjet sjelljes në jetë të fëmijëve tanë.

Ama për shkak të problematikave të ndryshme shëndetësore ka edhe persona të cilët nuk arrijnë dot të bëhen prindër, ashtu sikurse ka pafund të tjerë të cilët zgjedhin të jetojnë vetëm e të mos sjellin në jetë fëmijë. Dashuria mes një çifti sprovohet në vështirësi të tilla si kjo që ju po kaloni aktualisht. Në këtë moment më vijnë ndërmend pafund raste të dashurive të mëdha të cilat kanë triumfuar dhe pavarësisht se nuk kanë sjellë dot në jetë fëmijë kanë qëndruar bashkë deri në frymën e fundit. Distancoje pak veten nga presioni i familjarëve dhe me qetësi përpiqu të kuptosh veten. A e dashuron ti bashkëshorten tënde?

A do të ishe i lumtur nëse do të jeni gjithmonë bashkë?

A mund të bëni përpjekje të tjera për të patur një fëmijë dhe nëse rezulton e pamundur a nuk do të ishte dhe një tjetër alternativë shumë e mirë birësimi? Qëndroni bashkë me njëri-tjetrin dhe jepini mbështetjen e duhur. Në çift ka edhe momente krizash, por në rastin konkret është një dëshirë e përbashkët e cila nuk po përmbushet dot jo se mungon vullneti i njërit prej jush, por nuk po përmbushet si rezultat i diçkaje që nuk është në dorën tuaj. Mos u nxit nga asnjë presion i jashtëm për të marrë vendime të nxituara, jepi kohë vetes dhe do të kuptosh se cili është vendimi më i drejtë./GSH/

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes