Ëndrra që mori fund në anijen e azilkërkuesve në Angli, nga humbja e nënës te shitja e fizarmonikës. Historia e trishtë e të riut shqiptar që vdiq në anijen për emigrantët

The Guardian

Gjashtë muaj para se të gjendej i vdekur në anijen Bibby Stockholm, shqiptari Leonard Farruku kishte shpresa për të ndërtuar një jetë të re në Britani.

“Kam qenë në Mbretërinë e Bashkuar që nga gushti 2022. Shpresoj që të mund të marr dokumentet e mia, sepse tani jam në një institucion për azilkërkuesit. Erdha me një gomone”, tha i riu shqiptar në një mesazh në Instagram për një shok të vjetër të shkollës fillore në Tiranë, kryeqyteti i vendit të tij.

Nëna e tij kishte vdekur kur ai ishte 17 vjeç dhe babai i tij disa vjet më vonë.

“Humbja e nënës dhe babait tim më traumatizuan shumë papritur. Nuk e dija se ku isha dhe çfarë po ndodhte. Unë jam duke kërkuar azil tani. Unë jetoj në një hotel. Shpresoj që Zoti të na mbrojë”, ka shkruar ai.

Farruku, 27 vjeç, mendohet se ka vrarë veten në një dhomë dushi në anije, e cila strehon qindra azilkërkues në brigjet jugore të Britanisë, më 12 dhjetor të vitit të kaluar. Ai dukej se ishte në gjendje ankthi pak para se të gjendej i vdekur.

Familja dhe miqtë e tij kanë ende pyetje në lidhje me atë që e shtyu Farrukun, dikur një muzikant fizarmonike ambicioz dhe i talentuar me një të ardhme në dukje premtuese, të t’i jepte fund jetës së tij.

“Do të na mungojë shumë Leonardi. Ne do të jemi përgjithmonë zemërthyer për mënyrën sesi ai i dha fund jetës së tij”, tha motra e tij Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lobardi të Italisë.

“Ai ishte një person i mrekullueshëm që erdhi në Mbretërinë e Bashkuar për të ndërtuar një jetë të re plot shpresë. Ai përmbushi atë që Home Office i kërkoi të bënte, duke shkuar në Bibby Stockholm. Ne kurrë nuk do të kemi paqe në mendjet tona deri në momentin që të gjejmë të vërtetën për rrethanat brenda asaj maune që kontribuoi që vëllai ynë të kryente vetëvrasje”, shtoi ajo.

The Guardian ka folur me të afërm, miq, fqinjë, kolegë dhe mësues në Shqipëri, në një përpjekje për të kuptuar më shumë rreth prejardhjes së Farrukut dhe përvojave që çuan në vdekjen e tij.

Ata e përshkruan atë si një njeri të sjellshëm dhe punëtor që ëndërronte të bëhej muzikant – por u trondit nga vdekja e papritur e nënës së tij. Ajo pësoi një atak në zemër në gjumë në maj 2013, kur Farruku ishte një nxënës adoleshent në Liceu nArtistik Jordan Misja, një shkollë arti e respektuar në Tiranë. Babai i tij vdiq nga një atak në zemër pesë vjet më vonë.

Ishte atëherë që Farruku, i cili thirrej nga miqtë Nardi, filloi të ëndërronte të siguronte punë dhe të ndërtonte një jetë të re në Mbretërinë e Bashkuar. Udhëtimin e rrezikshëm përtej Kanalit ai e bëri në vitin 2022, vit kur 12,301 shqiptarë mbërritën me varka të vogla dhe kërkuan azil.

Ai tani është bërë fytyra e shqetësimeve rreth anijes që kur u ankorua në Portland, Dorset, në korrik.

Dhimbja e familjes së tij është shtuar nga raportet se Farruku nuk ishte në dijeni se atij i ishte dhënë leja për të punuar në ditët para vdekjes së tij dhe se trupi i tij qëndroi i pazbuluar deri në 12 orë.

Duke folur nga një kafene në Allias, një lagje në Tiranë ku Farruku jetoi për më shumë se një dekadë, Agron Farruku, xhaxhai i tij, tregoi dhimbjen e zemrës së familjes.

“Leonardi donte të ishte legalisht në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar atje. Ai kishte ambicie. Ai donte të punonte, të bënte para, të blinte shtëpi, të krijonte familje, të kishte një jetë normale. Nëse ai do të kishte dokumentet e tij të punës, do të kishte mundur të gjente një punë”, tha ai.

Këngëtari 57-vjeçar tha se Farruku nuk kishte probleme të njohura të shëndetit mendor.

“Vdekja e tij na ka shkatërruar. Por pjesa më e keqe është se ne nuk e dimë pse ose çfarë ndodhi. Ne nuk e dimë të vërtetën. Si u harrua deri në 12 orë në një objekt të rregulluar nga shteti?”, u shpreh ai.

“Ai i tha motrës së tij se kushtet në anije ishin në rregull, por se ata trajtoheshin shumë keq. Ai tha se donte më shumë liri, donte të dilte pak më shumë, por zyrtarët nuk e lejuan. Ai u ankua se ata trajtoheshin si kriminelë”, tregoi xhaxhai.

I lindur më 29 janar 1996, Farruku u rrit në Vorë nga e ëma, Shkëndije, shtëpiake dhe babai i tij, Petriti, një klarinetar, i njohur në zonë për muzikën e tij në dasma. Dy motrat e tij më të mëdha, Marsida dhe Jola, tani jetojnë në Itali.

Kushëriri i tij, Andi, i cili nuk donte të jepte mbiemrin, kujtoi një fëmijëri të lumtur në Vorë, ku dyshja luanin futboll dhe udhëtonin së bashku me autobus për në Tiranë tre herë në javë për mësime private fizarmonike.

“Ishte një kohë e bukur”, tha fotografi 29-vjeçar. “Ishte babai i tij që donte të bëhej muzikant dhe Nardi ishte shumë i talentuar, ai kishte vesh për muzikë. Ishte jeta e tij, studionte tre-katër orë në ditë. Ishim 13 dhe 14 vjeç kur filluam të luanim në dasma me baballarët tanë.”

Por familja mendohet se është përballur me vështirësi financiare pasi u transferua në vitin 2009 në Tiranë, ku Farruku ndoqi shkollën fillore “Bajram Curri” për dy vjet. Ata jetonin në cep të shkollës në një banesë me një dhomë gjumi në katin e fundit në një bllok të parafabrikuar.

Lindita Fejzo, mësuesja e letërsisë dhe gjuhës së Farrukut, tha se Petriti kishte një interes të madh për arsimimin e djalit të tij dhe merrte pjesë në mbledhjet e prindërve.

“Leonardi ishte një student i sjellshëm dhe i sinqertë. Ai ishte i apasionuar pas muzikës dhe sportit. Ai ishte mesatar në lëndët e tjera, por ishte shumë ambicioz dhe pak ëndërrimtar”, tha ajo.

Prej aty, Farruku bëri audicionin për në liceun Jordan Misja, të cilën e ndoqi nga viti 2011 deri në vitin 2015. Mësuesit e cilësuan atë si një nxënës të sjellshëm dhe të shkëlqyer në fizarmonikë. Farruku zakonisht arrinte notat 9 dhe 10 në fizarmonikë.

“Ai nuk na ka sjellë kurrë probleme. Ai ishte i qetë dhe jo kërkues i vëmendjes”, tha mësuesi i tij Dritan Baftjari.

“Leonardi ishte një student shumë i talentuar dhe i mirë. Por në vitin e tij të fundit ai mbeti pas, kjo ndodhi pasi nëna e tij vdiq. Notat e tij u përkeqësuan dhe ai filloi të merrte gjashts. Ai nuk studionte, nuk ishte më i fokusuar. Ai mungonte shpesh”, tregoi shefja e departamentit, Valbona Kotepano.

Shokët e tij të shkollës, Ervin Telo dhe Ariel Koka, të dy 28 vjeç, kujtuan betejat e Farrukut.

“Ai nuk kishte asnjë motiv. Pasi i vdiq e ëma, ai ishte shumë i trishtuar. Ishte sikur humbi qëllimin e jetës”, tha Koka, i cili punon në Ministrinë e Kulturës në Shqipëri.

Dyshja u takuan me Farrukun në Tiranë vitet e fundit dhe mësuan për problemet e tij financiare dhe ëndrrat për t’u larguar jashtë vendit. Farruku, i cili kishte filluar të punonte si transportues në shkollë, tashmë ishte bërë korrier në një kompani farmaceutike.

“Më tha se po planifikonte të shkonte jashtë vendit për shkak të ekonomisë dhe vështirësive që po haste. Nuk e di, por ndoshta Angli ose diku, sepse flas pak anglisht”, tha Telo.

Kur Koka u takua me Farrukun në 2020, ai po shlyente një kredi.

Urim Aliaj, një nga miqtë më të ngushtë të Farrukut që shkoi në shkollën fillore me të, tha se Farruku përfundoi duke shitur fizarmonikën e tij të dashur dhe celularin e tij pasi u diplomua për të përballuar jetesën.

“Marrëdhënia e tij me të atin u përkeqësua pasi mamaja e tij vdiq dhe ai kishte dëshpërimisht nevojë për para dhe një punë. Ai më tha se babai i tij kishte pasur probleme me alkoolin”, tha Aliaj.

Bardhyl Rapo, 70 vjeç, i cili jetonte në të njëjtin bllok me familjen, shtoise Nardi ishte një djalë i mrekullueshëm.

“Kur i vdiq e ëma, Petriti (i ati) filloi të pinte pak, sepse ishte shumë i trishtuar dhe po zihej me të birin”, shtoi ai.

Aliaj tha se Farruku i shihte më rrallë miqtë e tij pas vdekjes së babait në vitin 2018.

“Jeta ishte e vështirë për të. Ai dukej shumë i zhgënjyer”, tha ai. “Ai kishte qenë një musliman praktikues, falej dhe shkonte në xhami, por vura re se ai kishte bërë tatuazhe që janë të ndaluara në Islam.”

Njëri i ishte kushtuar nënës së tij, me të cilën Farruku ka ndarë ditëlindjen.

Pas vdekjes së babait të tij, Farruku kaloi kohë me motrat e tij në Itali dhe u përpoq të gjente një punë atje, por nuk ia doli. Të dy, Aliaj dhe Andi thanë se Farruku më pas dukej se ishte gati të transferohej në Britaninë e Madhe, ku kishte kushërinj.

“Ai donte të shkonte në Britaninë e Madhe, por për shkak se është shumë e vështirë, kërkimi i azilit ishte mënyra se si ai e kuptoi se mund të ndodhte dhe mund të kishte leje për të punuar, por unë nuk di ndonjë arsye të vërtetë që ai të kërkonte azil”, tha Andi.

Baza e kërkesës për azil të Farrukut nuk dihet dhe kërkesa e tij po shqyrtohej nga Zyra e Brendshme në momentin e vdekjes së tij.

Aliaj nuk e dinte nëse Farruku ia kishte dalë derisa Farruku i dërgoi një mesazh nga një llogari e re në Instagram më 17 qershor të vitit të kaluar për t’i thënë se kishte qenë në Britaninë e Madhe që nga gushti 2022, pasi kishte mbërritur me një gomone.

“Nardi e kishte shumë të vështirë në jetë, por gjithmonë kërkonte dritën, diçka më të ndritshme. Kjo është arsyeja pse është e vështirë për mua të besoj se ai kreu vetëvrasje. Dëshira jonë kryesore është të gjejmë të vërtetën”, tha Aliaj.

Të dashurit e Farrukut tani do të duhet të presin hetimin për vdekjen e tij me shpresën se pyetjeve të tyre do të marrin përgjigje.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes