Shqipëria është një prej vendeve më të bekuara, me 218 ditë me diell dhe me burime të bollshme uji që rrjedhin nga malet. Toka ideale për rritjen e shumë produkteve të ndryshme ushqimore. Por, përsëri çdo ditë e më tepër flitet për ushqime të modifikuara gjenetikisht, përdorimi i pesticideve apo plehrave me bazë nafte.
Ndërkohë që çdo stinë ka produktet e veta, që nuk gjenden në 365 ditë të vitit. Në tregjet e frutave dhe perimeve, tregtarët të ofrojnë domaten apo luleshtrydhen në mes të dimrit. Kjo pasi, shpesh përdoren antibiotikë dhe hormone që stimulojnë rritjen. Qofshin këto produkte të prodhuara në Shqipëri e ato të importuara nga jashtë.
Profesori i mirënjohur shkodran, Ahmet Osja, thotë për “Dritare” se rreziku që na vjen nga ushqimet që konsumojnë, është shumë i madh. Ekspert për më shumë se 30 vjet dhe më pas drejtuesi i Institucionit të Misrit dhe Orizit, Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, gjatë kohës së Fatos Nano, bën thirrje për një kujdes më të madh të institucioneve, për produktet që hyjnë në Shqipëri, veçanërisht njohja dhe vënia në punë e resurseve që kemi.
“Ne kemi dy gjëra shumë interesante, një janë kushtet natyrore dhe e dyta tradita. Kushtet natyrore na ofrojnë ushqime të veçanta dhe tradita është e tillë që për mijëra vjet nuk e ka ndot ushqimin.
Ushqimi është numri një që kontrollon biologjinë, pra nuk është vetëm ajo që ti shuan urinë. Më e rëndësishmja është se nga mënyra se si ne ushqehemi, përcaktohet vazhdimësia jonë. Vazhdimësia është më e rëndësishme se uria.
Ne i japim rëndësi të madhe urisë, edhe nuk mendojmë se për çfarë na shërben. Njerëzit shohin më tepër interesin financiar të tyre e rrjedhimisht ushqimet që ofrojnë nuk janë të kontrolluara. Në këtë mënyrë kemi vrarë shijen e ushqimit.
Tani njerëzit nuk hanë më ushqime, ne kemi harruar si është shija e domates, specit, apo luleshtrydhes.
Ne marrim rrezatime nga buka që hamë çdo ditë!
“Kafja që vjen nga Brazili, kushton 900 lek, 900 lek bëjnë tre kile qumësht në fshatin Trush.
Për tre kile qumësht duhen gjashtë dele, një çoban e një qen, 24 orë. Bëjeni vetë llogarinë, çfarë del nga kjo.
Ai që shet, tani, nuk mendon a të bën mirë apo të bën keq, e rëndësishme është sa fiton. Produktet nuk janë me interes për konsumatorin, por për shitësin.
Ndërkohë, unë kam 17 vjet që nuk pi kafe pasi vjen nga Brazili. Prandaj, e unë i bëj thirrje të gjithë njerëzve, që mos të presin të vijë ndryshimi nga qeveria. Duhet të jenë ata të parët të cilët ndërgjegjësohen dhe të marrin masat te vetja.
Ne na vjen 1,123,000 kuintalë miell nga Ukraina, ku ka ndodhur Katastrofa e Çernobilit. Ne e marrim miellin me gjysmë çmimi. Prandaj buka jonë është kaq e lirë, mielli është i ruajtur në magazina e nuk e ka marrë askush.
Ne që kemi nevojë e blejmë atë që vjen nëpërmes Beogradit. Nëse nuk do ta marrim nga Beogradi, atëherë buka që ne blejmë do të jetë 260 lekë të reja dhe jo sa e blejmë ne në furrat e bukës. Rrezatimi që marrim ne nga konsumi i këtij mielli, është një prej shkaktarëve të sëmundjes së kancerit.”
Ligji ynë çalon, sepse shihen interesat!
“Prandaj është e nevojshme përgjegjësia që ka secili dhe e dyta ligji i shtetit. Ligji duhet të kontrollojë me përgjegjësi dhe me kompetenca të jashtëzakonshme. Mund ta kesh përgjegjësinë, por nuk ke kompetencën. Dhe ligji ynë çalon, pasi shihen interesat.
Dy janë shinat për një vend, arsimi dhe bujqësia. Nëse një popull nuk ka shinat, kot që e bën lokomotivën.
Bujqësia është shkatërruar, arsimi merret me lek. Pra, është shumë e nevojshme të merren masat për këto dy fusha.
Duhet që shteti të ketë personel specialistë e jo administratë burokrate. Administrata nuk di si ta kryejë këtë punë, pasi nuk ka kompetencat. Kurse, specialisti di ta bëjë diferencat dhe të evidentojë risqet.
Në Ministrinë e Bujqësisë nuk ka profesionistë, nuk i paguan askush, ata paguajnë administratën.
Unë isha ministër që prej datës 22 shkurt 1991 deri në datën 15 maj 1991. Vendosja të ikja vetë, pasi që në atë kohë kuptova që nuk kërkohej më punonjësi shkencor, por punonjës i administratës.
Ne kemi në Alpet tona rreth 137 bimë endemike, ose siç njihen ndryshe të veçanta. Mbreti Genti, është i vetmi mbret në globin tokësor, ku një bimë mjekësore ka emrin e tij, ajo është Gentiana lutea, e cila gjendet në Bogë. Po këtë administrata nuk e di, janë specialistët që e dinë.
Ne jemi shumë të pasur edhe pse jemi vend i vogël, prandaj duhet të kujdesemi për tokën tonë, në këtë mënyrë rritet dhe ekonomia e shtetit.”
I njohur për rolin e çmuar në krijimin e hibrideve të rinj të misrit si dhe evoluimin e teknologjisë së tij, profesor Ahmeti, ka gjetur një mënyrë për të shpëtuar disa prej bimëve endemike që kemi në Shqipëri.
Në vitin 2000 krijoi një kopsht botanik në Shkodër, përballë Kështjellës. Në një hapësirë ku gjenden 7 qind e 38 lloje bimësh, nga e gjithë Shqipëria. Në mesin e tyre, janë edhe disa bimë të veçanta, pasi vendi ynë njihet për bimë endemike.
Ashtu të sistemuara dhe të etiketuar, ato shërbejnë për nxënësit e shkollave dhe të huajt. Kjo pasi siç edhe Osja tregon për dritare.net, shqiptarët nuk kanë shumë interes për ta vizituar.
Ndoshta është pikërisht kjo, papërgjegjshmëria jonë për të njohur dhe vlerësuar pasurinë që kemi, për të ardhur në ditët e sotme, ku shkojmë me frikë të blejmë ushqimet.
Por ajo çka dihet me siguri është nevoja imediate për të marrë masa, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga njerëzit e thjeshtë. Pasi ashtu si profesor Ahmeti, i cili prej 17 vitesh refuzon të pijë kafen, pasi vjen nga Brazili, njëjtë duhet të kuptojmë dhe ne rreziqet që na rrethojnë.