Teksa gjatë vitit të kaluar u hodh për diksutim ideja e rritjes së çmimit të kursit të patentës, nga ky vit do të rritet kostoja e kartonit.
Mësohet se Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit dhe Transportit Rrugor ka miratuar tarifat e reja, të cilat hyjnë në fuqi në datën 5 shkurt, teksa argumentohet se rritja lidhet me zgjatjen e vlefshmërisë së afatit të patentave.
Kështu, patenta që ndryshe njihet si “kartoni”, nga 3500 lekë është propozuar të shkojë në 4500 lekë. Deri më tani patentat kishin vlefshmëri 10 vjeçare, ndërsa me afatin e ri ato janë zgjatur deri në 15 vjet. Me këtë ndryshim ligjor, përfitues janë rreth 80 mijë shoferë të cilët ishin në prag të skadimit të afatit.
Paralelisht do të ketë edhe rishikim të tarifave për ritestuesit. Deri më tani ritestimet mund të kryhen në 5 seanca me një tarifë prej 400 lekësh. Me propozimet e reja, ritestimi do të kushtojë 1 mijë lekë. Po ashtu edhe për riprovimin e testit të praktikës kur më parë do paguaje 500 lekë tashmë do të paguash 4-fish më shumë. Gjithshtu mësohet se dhe një sërë të tjera shërbimesh janë rritur, si pajisja me leje drejtimi ndërkombëtare, pajisja me “Leje”dhe provim kualifikimi teorik pas humbjes totale të pikëve ose heqjes së lejedrejtimit.
Një vit më parë edhe autoshkollat kërkuan dyfishim të çmimit të kursit, por për shkak të debateve dhe hetimit të nisur nga autoritet i konkurrencës, nisma mbeti pezull.