Një avion i vogël u rrëzua dje në një komunitet ku njerëzit jetojnë në shtëpi të lëvizshme në Clearwater, Florida, në juglindje të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar disa viktima, njoftuan autoritetet lokale.
“Unë mund të konfirmoj se ka viktima të shumta, si në aeroplan ashtu edhe në kamping”, tha Scott Ehlers, kreu i departamentit lokal të zjarrfikësve, gjatë një konference për shtyp, pa dhënë detaje mbi numrin e viktimave.
Përplasja ndodhi në orën 19:00 të pasdites së djeshme me orën lokale, pak pasi një aeroport aty pranë mori një telefonatë emergjence nga një avion, shtoi Ehlers.
Zjarrfikësit nxituan në komunitetin Bayside Waters ku banorët jetojnë në shtëpi të lëvizshme dhe arritën të shuanin zjarrin e shkaktuar nga rrëzimi i avionit.
Të paktën tre karvanë u përfshinë nga flakët dhe një i katërti u godit kur avioni u rrëzua, tha ai. Banorët e karvaneve të tjera u larguan të padëmtuar.
Avioni i vogël ishte me një motor të vetëm Beechcraft Bonanza V35, raportuan mediat lokale, duke cituar Administratën Federale të Aviacionit të SHBA.
Piloti raportoi prishjen e motorit pak para rrëzimit, tha burimi. Nuk është e qartë se sa njerëz ishin në aeroplan.