Vjen lajmi fantastik për motin, sinoptikani zbulon çfarë pritet këtë fundjavë

Sipas parashikimeve te Motit nga Meteoalb, kjo e premte do të mbetet nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe intervaleve të gjata me diell. Sinoptikani Hakil Osmani thotë se nuk pritet që të kemi reshje shiu gjatë kësaj të premte teksa shton se temperaturat pritet të regjistrohen deri në 20 gradë Celsius në rang territori.

Hakil Osmani: Dita e sotme mbetet nën mbizotërimin e kthjellimeve. Të paktën deri në orët e pasdites pritet që intervale të gjata me kthjellime të jenë dominante në territorin shqiptar. Parashikohet që pasditja të sjellë kalime të lehta të vranësirave, por nuk priten reshje. Temperaturat e ajrit kanë pasur një rritje të lehtë mëngjesin e sotëm duke bërë që vlerat minimale të kenë regjistruar në minus 1 apo 0 gradë Celsius në qytetet e zonave malore, ndërsa në Ultësirën Perëndimore i kemi pasur nga 4 deri në 9 gradë Celsius. Përsa i përket mesditës, do të kemi rritje të ndjeshme të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të regjistrohen edhe në 20 gradë Celsius në rang territori.

Nga e premtja në ditët e fundjavës, duket se nuk do të ketë ndryshim të kushteve atmosferike, pasi do të na shoqërojnë dielli në rang territori gjatë të shtunës dhe të dielës, me një ndryshim të vogël që temperaturat në maksimumet e tyre do të ngjiten me 1 gradë Celsius.

Hakil Osmani: Po ashtu, edhe përgjatë fundjavës, pritet që të kemi mot të qëndrueshëm. Intervalet me diell do të jenë të shumta në territorin shqiptar dhe kryesisht gjatë paraditeve. Pasditet sjellin kalim të vranësirave, por sërish nuk pritet të kemi reshje në vendin tonë. Përsa i përket temperaturave të ajrit, do të vijojë rritja e temperaturave edhe gjatë fundjavës, duke bërë që vlerat minimale të ngjiten në 1 apo 2 gradë Celsius në qytete e zonave malore si Peshkopia, Puka apo Erseka, ndërsa në Ultësirën Perëndimore do t’i kemi deri në 11 gradë Celsius. Orëve të mesditës vijon rritja e temperaturave duke bërë që maksimumet të ngjiten edhe 21 gradë Celsius dhe temperaturat më të larta do të shënohen përgjatë vijën bregdetare. Edhe zonat e ulëta, duke përfshirë kryeqytetin do të shënojnë temperatura në vlerat 19 apo 20 gradë Celsius që janë temperatura shumë të larta për muajin në të cilin ndodhemi.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes