E dhimbshme! Kaloi Adriatikun me gomone, ra nga shkallët duke pirë cigare dhe vdiq, baba i dy fëmijëve

Flogert Rroshi, një 41-vjeçar shqiptar që jetonte në Veneto të Italisë, humbi tragjikisht jetën si pasojë e një ngjarje aksidentale të ndodhur në shtëpi.

Rroshi kishte zbritur në katin e poshtëm të shtëpisë së tij për të pirë cigaren e fundit përpara se të shtrihej, siç bënte zakonisht.

Më pas u dëgjua një zhurmë që zgjoi bashkëshorten e tij. Duke menduar se kishte rënë një prej orendive të shtëpisë, ajo zbriti poshtë.

Por në fakt gjeti të shoqin në fund të shkallëve pa ndjenja. U përpoq t’i jepte ndihmën e parë, por pavarësisht përpjekjeve të saj dhe shërbimeve të emergjencës, për Rroshin nuk qe e mundur të bëhej asgjë.

Rroshi u largua nga Shqipëria me një gomone në verën e vitit 2000 në moshën 17-vjeçare për të kërkuar fatin e tij në Itali. Ai kishte zbritur në Bari, i vetëm, dhe kishte hipur në një tren për t’u bashkuar me një kushëri në Italinë e Veriut.

Prej aty ai filloi të ndërtojë të ardhmen e tij, duke punuar shumë. E dashura e tij Esma mbeti në vendlindje, shoqja e fëmijërisë, dashuria e tij e madhe. Në vitin 2003 u kthye në Shqipëri për t’u martuar me të dhe në vitin 2004 e çoi në Itali.

Pesë vjet më vonë lindi fëmija i tyre i parë, Geisi, katër vjet më vonë erdhi edhe Enriko. I pari luan futboll në klubin vendas, Union Scaligera Academy, ndërsa Enriko është përfshirë në sektorin e të rinjve të Cologna Basket.