E trishtë! Ndahet nga jeta në moshë të re, mjekja Alketa Stroni

Një lajm i hidhur vjen Gjermania, ku një mjeke shqiptare ka ndërruar jetë në moshë të re në Gjermani. Alketa Dano Stroni që prej disa kohësh jetonte në Gjermani ka ndërruar jetë në moshë të re, duke lënë pas dy fëmijët dhe bashkëshortin e saj.

Lajmin e trishtë e ka bërë me dije doktor Gramoz Hodaj, i cili në një postim të gjatë në rrjetet sociale tregon njohjen me Alketën kur shkoi në spital si praktikante.

Nga praktikante, Alketa do të bëhej një mjeke e zonja që më pas do të punonte për disa kohë në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës.

“Ngaherë jam ndjerë krenar që kam patur në krah një kolege brilante me dije të pamatshme në mjekësi dhe jo vetëm… Do ngelesh ngaherë në memorjen time një kolege, e qeshur, e brishtë, e fortë, e bukur, e dashur, e butë, e ditur, e përkushtuar, e paqshme dhe thellësisht humane”, shkruan doktor Hodaj ndër të tjera.

Postimi i plotë:

Lamtumirë Dear Alketa…

Unë nuk di të hesht kur zemra dhe shpirti im flet brenda meje me fjalë të shimbshme.

Kështu më ndodhi edhe sot në mëngjes, kur mësova lajmin se Dr Alketa Stroni kishte ndërruar jetë në Gjermaninë e largët dhe të ftohtë.

Sot u shua edhe një tjetër yll nga qielli i elitës së historisë të spitalit tonë.

Teksa po lexoja dedikimin e postuar në FB nga Tani miku im, dhe bashkëshorti i dashur i Alketës, lotët më tradhëtuan dhe trishtësia më kaploi në çdo skutë të shpirtit tim.

Vite më parë erdhën në urgjencën tonë dy mjeke të reja për të bërë praktikën mjekësore, Dr Alketa dhe Dr Irena.

Me përqasjen, energjinë, pozitivitetin, qytetarinë dhe përkushtimin që demostruan, lanë mbresa të thella mes stafit tonë.

Pasi mbaroi specializimin për mjekësi interne Dr Alketa punoi bashkë me mua, në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës.

Ngaherë jam ndjerë krenar që kam patur në krah një kolege brilante me dije të pamatshme në mjekësi dhe jo vetëm.

Dear Alketa,

Jeta jote ishte mjaft e shkurtër, por e mbushur më shumë me vepra, se sa me ditë.

Ti jetove mes nesh duke bërë një jetë mes stuhive, përballjeve dhimbjeve, ëndrrave, dashurisë dhe shpresës.

Ti kurrë nuk e pranove humbjen dhe urrejtjen në shpirtin tënd.

Emri dhe vepra jote do shkëlqejnë mbi gjithë këto re që gjenden sot mbi ne.

Ti synove ngaherë të gjendeshe tek yjet dhe kurrë nuk shikoje pas.

Dhe sot ti po ngjitesh e paqshme mes yjeve duke na lënë pas mes dhimbjeve dhe trishtimit, por edhe me shkëlqimin tënd

Kufijtë që ndajnë jetën nga vdekja janë të paqartë dhe të mjegullt.

Do ngelesh ngaherë në memorjen time një kolege, e qeshur, e brishtë, e fortë, e bukur, e dashur, e butë, e ditur, e përkushtuar, e paqshme dhe thellësisht humane

Jeta është tejet e shkurtër. E nesërmja nuk ekziston për askënd…Lamtumirë.