Kjo javë do të jetë e paqëndrueshme, me reshje shiu, erë të fortë dhe rrebeshe. Metorologia Lajda Porja thotë se më problematika paraqitet e hëna, ndërsa gjatë ditëve në vijim, intensiteti i reshjeve do të bjerë. Problematike paraqitet gjithashtu edhe parametri i erës ndërsa temperaturat do të jenë të larta.
“Stuhi detare dhe rrebeshe shiu në të gjithë territorin shqiptar. Pas mesditës, pritet që pjesa më e madhe e Shqipërisë të përjetojë reshje me intensitet mesatar dhe lokalisht intensiv. Në mesditë, situata do të paraqitet problematike në veri-perëndim dhe në zonat qendrore, ku reshjet do të jenë në formë shtrëngatash. Reshje më të pakta pritet që të kenë zonat e jugut, të cilat do të kenë intensifikim të reshjeve në orët e vona të pasdites, duke bërë që disa qytete të raportojnë probleme për shkak të rrebesheve.
Nga zona veriperëndimore, Shkodra, Lezha, Durrësi, Tirana, Kruja, Elbasani, për sa i përket zonave jugore, do të jetë Vlora, Gjirokastra dhe Saranda, do të jenë qytetet që do të kenë rrebeshe shiu. Parashikohet problematike për stuhitë e erës, e cila ka nisur që në fundjavë. Era në brigjet joniane do të jetë mbi 75 km/orë, duke sjellë probleme në trafikun detar. Akoma më e fuqishme do të jetë në det të hapur nga 90-100 km/orë në kanalin e Otrantos. Ka një përmirësim të situatës të martën dhe të mërkurën, ku do të ketë dobësim të ndjeshëm të reshjeve. Do të jenë prezente por në sasi më të pakta. E enjtja do të jetë me alternime kthjellimesh, vranësirash dhe reshje të pakta shiu, kryesisht në zonat qendrore dhe jugore. Temperaturat e ajrit vijojnë të larta. Sot parashikohen vlera deri në 20 gradë. E marta dhe e mërkura do të ketë temperatura nga 17-18 gradë. E enjtja do të jenë deri në 19 gradë por do të kemi vranësira dhe reshje në sasi të pakta. E premtja dhe fundjava do të sjellë përmirësim të dukshëm të motit.”, u shpreh meteorologia.
Sa i përket rajonit, meteorologia tha se gjatë javës priten reshje dëbore në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut për shkak të rënies së temperaturave.
“Stuhitë ciklonare janë të vendosura në pjesën perëndimore të Ballkanit. Më problematike paraqitet Mali i Zi nga reshje intensive dhe stuhi të forta ere. Pjesa jugore dhe jugperëndimore e Kosovës do të ketë rebeshe shiu dhe reshje në formë shtrëngatash gjatë ditës së sotme. Gjithashtu Maqedonia e Veriut do të mbetet problematike vetëm sot. Nga e marta deri të entjen, reshjet do të jenë në sasi të pakta. Parashikohet që të enjten, në Kosovë dhe MV do të ketë shfaqje të reshjeve të pakta të dëborës për shkak se kemi rënie të temperaturavbe në 0 apo -1. Temperaturat maksimale në rang territori në Kosovë do të jenë jo më shumë se 14 gradë. Deri në 15 gradë në MV dhe zonat e bregdetit të Malit të Zi 17-18 gradë”, shtoi Porja.