Situata sinoptike po favorizon një ardhje masive të grimcave të pluhuhit nga shkretëtirat e Afrikes veriore në territoret tona.
Në Evropën perëndimore kemi ciklonin shumë të fuqishëm i cili shtrihet deri në Mesdhe dhe brigjet e Afrikes veriore me një ciklon sekondar, ndërkohë që cikloni amë gjendet në Atlantik mes Francës dhe Britanisë së Madhe.
Shtrirja e ndikimit ciklonik deri në Afriken veriore do të aktivizojë rrymimet e fuqishme ajrore që nga Afrika veriore vijnë direkt në drejtim të Gadishullit Ballkanik dhe në veçanti në territoret tona:
Shqipëri, Kosovë, Maqedoni Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Ajri i përzier me pluhurin Saharian do të ketë shtrirje shumë më të gjerë në Ballkan dhe jashtë diku deri në Poloni, pastaj me lëvizjen e masavae ajrore ciklonike grimcat masive sahariane do të shkojnë në drejtim të Ukraines dhe jugut të Rusisë, ndërkohë që të hënën në mbrëmje dhe nga e marta atmosfera mbi territoret tona do të fillojë të pastrohet nga pluhuri i madh saharian.
Ardhja e kësaj mase ajrore me koncentrim masiv të grimcave sahariane korrespondon me fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërkohë që të hënën do të ketë edhe reshje shiu të cilat në fillim mund të jenë të përziera me shumë pluhur Saharian, ndërkohë që më vonë pas mbrëmjes reshjet e shiut përfshijnë të gjitha territoret tona dhe fillon pastrimi i atmosferës.
Vende-vende do të ketë reshje dhe rrebeshe mjaft intensive shiu, ndërkohë që temperaturat shënojnë ulje pas rritjes së tyre ditën e diel.
Nga e marta nuk do të kemi më grimca Sahariane (ose shumë pak) dhe pritet mot me vranësira, intervale kohore me diell e rrebeshe lokale shiu.