Dita e sotme mbetet me temperatura të larta me maksimume deri në 29 gradë me mot të qëndrueshëm intervale të gjata me diell.
Meteorologu i Meteoalb Hakil Osmani tha në një emision televiziv, se mbrëmja e kësaj të hëne sjell shtim të lagështirës së ajrit që do të sjellë reshje gjatë mbrëmjes së sotme dhe mëngjesit të së martës, kryesisht shi me baltë për shkak të prezencës së pluhurit saharian në atmosferë.
Dita e sotme pritet të ketë erë të fortë në det, duke sjellë problematika në transportin detar. E marta sjell rënie të temperaturave të ajrit, maksimumet deri 25 gradë, pastrim të atmosferës nga pluhuri saharian dhe më shumë diell.
Pothuajse e gjithë kjo javë do jetë nën ndikim të motit të qëndrueshëm, temperatura do jenë larta, 26-27 në mesditë, por edhe në mëngjes. Temperaturat e dhjetëditëshit të parë pritet të jenë 4-5 gradë më të larta se mesatarja e prillit.