Mesdita e 9 prillit do të rezultonte tragjike për një familje 6 anëtarëshe në aksin rrugor Prrenjas-Qafë Thanë, pasi u përplasën nga një automjet që lëvizte me shpejtësi.
Për pasojë, 24-vjeçarja Eneida Pishkashi u plagos rëndë dhe përfundoi në koma. Pas 5 ditësh te spitali i Traumës në Tiranë ajo ndërroi jetë.
Shoferi i dehur, Jetmir Daci, që shkaktoi edhe aksidentin e rëndë, u arrestua vetëm pasi e reja humbi jetën pasi 5 ditëve në koma dhe jo në momentin kur ndodhi ngjarja.
Sipas policisë, ai ka qenë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, kur më 9 prill ka përplasur në aksin Prrenjas-Qafë Thanë të renë së bashku me 4 persona të tjerë. Në testin e bërë nga policia ditën e ngjarjes rezultoi se 44-vjeçari ka qenë i dehur në timon në nivelin 0.40 mg/l të alkoolit në momentin që ka përplasur familjen Pishkashi.
Ata po qëndronin në këmbë para një servisi dhe po prisnin që makina e tyre të riparohej kur u goditën nga një automjet “Passat” me drejtues Dacin i cili i mori përpara.
Kryefamiljari i cili gjithashtu mbeti i plagosur, ishte emigrant në Greqi dhe në vendlindje ishte kthyer për arsye familjare.