Zbardhen të tjera detaje në lidhje me vrasjen e 18-vjeçarit Aureljo Dervishit, i cili u godit për vdekje me thikë pas një sherri me një grup të rinjsh. Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se policia ka bërë të mundur kapjen e katër autorëve të dyshuar, në zonën e Farkës në Tiranë. Mësohet se 3 prej të shoqëruarve janë të mitur të moshës, 16 vjeç si dhe njeri 15 vjeç, ndërsa i shoqëruar tjetër është identifikuar si Frensis Shehu, 20 vjeç.
Ashtu siç u tha edhe më herët, sherri ka nisur për një vajzë, e cila ishte në makinë me viktimën. Ka dyshime se vajza ka qenë e lidhur me një prej agresorëve. Kur këta të fundit kanë mësuar se ajo ka qene ne automjetin tip Audi, i kanë bërë shenjë mjetit për të ndaluar dhe me pas janë konfliktuar fizikisht.
18-vjeçari mësohet se ka dalë nga mjeti, por thuhet se 4 agresorët nuk kanë mundur që ta dhunojnë për shkak të gjatësisë dhe fizikut të tij të madh. Dyshohet se ka qenë 15-vjeçari ai që e ka qëlluar me thikë në gjoks 18-vjeçarin, plagë që i mori jetën teksa ishte duke u transportuar për në spital.
(BalkanWeb)