Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 18-vjeçarit Aurelio Dervishi, mbrëmjen e ditës së dielë në Shkozë.
Gjatë një interviste televizive, gazetarja Aida Topalli, zbuloi dhe dinamikën e krimit të rëndë.
Ndihmonte të atin pasi mbaroi gjimnazin
Ajo tha se i riu teksa po drejtonte mjetin, u konfliktua verbalisht në semafor me 4 të rinj që po lëviznin me një automjet tjetër.
Shkak për zënkën ishte e dashura 15-vjeçare e viktimës, e cila ndodhej në automjet me të.
Sipas gazetares, 15-vjeçarja më herët kishte qenë e lidhur me një nga autorët.
Pasi ndaluan automjetet, 4 të rinjtë sulmuan me leva viktimën, por duke qenë se fiziku i tij ishte i madh, një 15-vjeçar nxori thikën dhe e qëlloi në gjoks.
“Rreth orës 22:00 të darkës viktima ka qenë në makinë, me atë që sipas dëshmisë së vajzës e quan të dashur, dhe në praninë e një shoku tjetër, teksa po ktheheshin në zonën e Shkozës,
aty ku është dhe banor 18-vjeçari Aurelio Dervishi. Përpara se të shkohet te rrethi i Shkozës është një semafor dhe në momentin kur automjeti ku ndodhej viktima me të dashurën dhe shokun ka ndaluar, paralel me ta ka qenë dhe një automjet tjetër ku ndodheshin katër të rinj.
Njëri prej tyre 20-vjeç dhe tre të tjetrët të mitur të moshës 15 dhe 16-vjeç. Midis tyre është dhe një djalë që ende nuk i ka bërë 15-vjeç, i cili dyshohet se është dhe autori i vrasjes me thikë.
Fillimisht ata janë ofenduar për vajzën në automjet, e cila dyshohet se më herët ka qenë e dashura e një prej djemve që ndodheshin në automjetin tjetër. Më pas me të shkuar te rreth i Shkozës, ata kanë daluar. Duke qenë se viktima ka pasur një fizik të madh, nuk kanë mundur ta mposhtin dot duke përdorur dhe leva. Vlen të theksohet se viktima është qëlluar dhe me levë. Në atë moment 15-vjeçari dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka qëlluar duke i shkaktuar vdekjen”, tha gazetarja.