Mbytja e Alma Arrazit në lumin Buna bashkë me tre fëmijët, bashkëshorti pjesë e grupeve kr**inale? Zbardhet dëshmia e nënës

Mbrëmjen e djeshme, gazetarja e njohur Klodiana Lala, ka folur në emisionin “Në Shënjestër”, ku ka trajtuar ngjarjen tragjike në Shkodër, ku 39-vjeҫarja Alma Arrazi, u mbyt në ujërat e lumit Buna bashkë me tre fëmijët e saj.

Por a kishte frikë Alma të denonconte bashkëshortin e saj dhe pse nuk e bëri një gjë të tillë kurrë? Përse nuk u adresua ajo në policinë e Shkodrës për ndihmë apo në një organizatë jo qeveritare? Apo druhej nga fakti që bashkëshorti dhe vëllai i tij, ishin të lidhur me kultivimin e bimëve narkotike në zonë dhe me policinë e rrethit dhe kallëzimi i saj do të binte në vesh të shurdhër. Vetë motra e Alma Arrazit, në një dalje televizive për një nga mediat në Tiranë, ka treguar detaje rrëqethëse mbi muajt e fundit të jetës së saj bashkëshortore, ku thotë se Alma dhe fëmijët kishin arritur deri aty sa nuk kishin bukë për të ngrënë në shtëpi. Kjo pasi Ergdysi, paratë që kishte i shpenzonte me të dashurën disa vite më të re.

“Shpirti im e di se sa jam munduar për t’ia mbushur mendjen hajde rri me motrën tënde. Nuk arrinte t’i jepte dot ushqim fëmijës së vet. Eri, konsumonte dreka dhe darka me të dashurën e vet, nuk i dilte buxheti të blinte ushqim për fëmijët. Kohët e fundit i ka munguar çdo gjë, edhe buka i ka munguar motrës dhe fëmijëve të motrës time”, rrëfen motra e Almës.

Por sa të vërteta janë këto akuza apo pretendime mbi keqtrajtimin që kunati i saj i bënte motrës, kjo mbetet pjesë e një hetimi të thelluar.

Tashmë 31-vjeҫari Ergdys Arrazi, është lënë në masën e arrestit me burg nga Gjykata e Shkodrës, në akuzën për ‘Shkaktim të vetëvrasjes’ që në rastin më maksimal vlerësohet në një dënim prej 7 vitesh heqje lirie.

Prokuroria do të duhet të shikojë edhe për rrethana të tjera që kanë lidhje me ngjarjen, e cila duhet thënë se zhvillohet edhe më së shumti gjatë kohës që në banesën e përbashkët kthehet nga burgimi, Edison Arrazi, vëllai i Ergdys Arrazit.

Një pistë e cila mund të përjashtohet, por që nuk mund të lihet asesi jashtë vëmendjes edhe për shkak të rekordeve kriminale që mbartin me vete dy vëllezërit.

Pyetjes cila është e shkuara e 31-vjeçarit, Ergdys Arrazi, babait dhe bashkëshorti i cili sot mbahet i ndaluar në masën e sigurimit me burg për dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij Alma Arrazi dhe tre fëmijëve të tyre?

Cilat janë ngjarjet ku ai është përfshirë? Emri i Ergdys Arrazit për herë të parë, u bë i njohur për opinionin publik në vitin 2021.

Në atë kohë, vëllai i tij Edison Arrazi, u ndalua nga Policia e Shkodrës, si i lidhur me vrasjen në këtë qytet të Endri Mustafës. Viktima ishte një fajdexhi i njohur, i cili u gjet i vrarë në zonën e Livadheve më datë 17 Maj 2021, vetëm pak metra larg banesës së tij, i ekzekutuar me një plumb në kokë, dhe dy të tjerë në trup. 32-vjeçari, babai i tre fëmijëve, fillimisht ishte raportuar i zhdukur në polici nga bashkëshortja e tij.

Familja Mustafa, ndryshe nga hetimet e prokurorisë, që zbuluan si urdhërues të vrasjes Ibrahim Licin, dhe si ekzekutues Ergys Maljan, hodhi akuza të forta ndaj vëllezërve Arrazi dhe midis tyre edhe Ergdysit, të cilët sipas tyre ishin vrasësit e vërtetë të njeriut të tyre, të paguar nga Astmer Bilali, një tjetër i fortë në Shkodër.

Këtij versioni, nëna e viktimës, në këtë rast Endri Mustafës, i qëndroi edhe në vazhdim, ku tha se bashkë me Ergys Maljan, në ekzekutim kishin marrë pjesë edhe vëllezërit Edison dhe Ergdys Arrazi.

“Ajo që mund të them është se autorët e vrasjes së djalit tim, Endri Mustafa, përveç Ergys Maljas, i cili e ka nxjerrë në pritë, janë edhe Edison Arrazi i njohur si ‘Coli’ dhe vëllai i tij Ergdys Arrazi, të cilët ekzekutimin e kanë kryer me urdhër të shtetasit Astmer Bilali. Kjo pasi Ergys Malja, ka patur shumë hyrje-dalje tek familja Bilali, e cila jeton shumë pranë tyre”, ka dëshmuar Fahrije Alija.

Nëna e Endri Mustafës, tha më tej se djali i saj kishte shumë shoqëri me vëllezërit Edison dhe Ergdys Arrazi, të cilët ishin edhe njohje e Astmer Bilalit, që njihet si një person i rrezikshëm në Kiras. Por nëna e Endri Mustafës, nuk dha ndonjë mendim të qenësishëm pse ajo mendonte që vrasësi i të birit ishte Astmer Bilali, dhe jo Ibrahim Lici, siç tregoi për hetuesit, Ergys Malja.

“Endri ka punuar që 18-vjeç dhe është munduar gjithmonë të bëjë mirë për familjen dhe shoqërinë. Së fundmi, ai merrej me fajde dhe u jepte para borxh njerëzve dhe kështu siguronte të ardhura. Ai ka patur shumë shokë dhe njohje, si vëllezërit Edison dhe Ergdys Arrazi. Në dijeninë time, ai nuk ka patur konflikt me njeri. Me Ergys Maljan, nuk ka patur ndonjë afrimitet, pasi ai ka qenë sa gjysma e moshës së tij”, thotë ajo.

Grupi hetues, pyeti si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen edhe shtetasin Edison Arrazi, i cili akuzohej direkt nga nëna e Endri Mustafës, si vrasës i të birit. Por ai mohoi që të kishte lidhje me ngjarjen, duke nxjerrë alibi faktin që atë mbrëmje kishte qenë në banesën e tij.

“Shtetasi Edison Arrazi, që akuzohet nga shtetasja Fahrije Alija, se ka qenë ai që shoqëruar djalin e saj Endri Mustafa ditën e ngjarjes për në zonën e Livadheve, si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e tij, për llogari të shtetasit Astmer Bilali, i ka mohuar këto akuza. Ai sqaron se nuk e njeh shtetasin Ergys Malja, si dhe natën e ngjarjes, pas orës 22:00, ai ka qenë në shtëpinë e tij. Dhe se me Endri Mustafën ka patur njohje rreth 6 muaj përpara ngjarjes, kur Endri ka blerë një tokë në zonën e Bypass-it, pranë një sipërfaqeje së tij të tokës. Duke qenë se në tokën e tij ka patur të hedhura inerte, në biseda e sipër, Endri i ka kërkuar t’i hidhte inerte edhe në tokën e tij, për ta ngritur në nivelin e rrugës. Pra, njohja dhe lidhja e tij me Endrin, ka qenë kryesisht kur ai shkonte tek toka”, thuhet në dosjen hetimore.

Të njëjtin qëndrim me vëllain e tij, mbajti edhe Ergdys Arrazi, i cili jashtë Gjykatës së Shkodrës, tha se vëllai i tij Edisoni, natën kur Endri Mustafa, mendohet se është ekzekutuar ka qenë në banesë.

Ndërsa droga që thuhet se iu gjet atij në banesë, sipas Ergdysit në fakt u gjet magazinë që është larg banesës së tyre.

“Vëllai im nuk ka lidhje me atë vrasje, as me drogën që policia thotë se ka gjetur. Atë natë ai ka qenë në banesë dhe nuk ka lëvizur që aty”, thotë Ergdys Arrazi.

Vetëm disa kohë pasi u ndalua nga policia, Edison Arrazi, u cilësua nga drejtësia i pastër në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës. Por ai vuajti dënimin në Burgun e Fushë-Krujës, për sasinë e drogës së gjetur në banesës gjatë kontrollit.

Ndërkohë që grupi hetues krijoi besimin e arsyeshëm se organizator dhe vrasës i Endri Mustafës, ishte Ibrahim Lici, i cili thuhet se pati si bashkëpunëtor në këtë vrasje, Ergys Maljan, kjo e konfirmuar sipas grupit hetues edhe nga provat biologjike të gjetura në vendngjarje.

Por për t’iu kthyer ngjarjes tragjike të humbjes së jetës së Almës dhe tre fëmijëve të saj, a mund të mbyllet këtu kjo histori pa një hetim të thelluar. Një klithmë për ndihmë ku shoqëria ka rolin e vetë të munguar. Ku mësuesit nuk bëjnë rolin e tyre në shkolla. Ku psikologët nuk janë të aftë të kuptojnë problematikat që sjell një fëmijë nga familja e tyre. Ku roli i shërbimit social është i padukshëm. Apo ku policia mbështet të fortët dhe roli i tyre në terren është ekzistent.

A do jetë rasti i Almës dhe tri fëmijëve të saj, momenti kur si shoqëri do të duhet të ndalemi dhe ti bëjmë pyetje vetes, ku po shkojmë? Sepse akti i Almës nuk ishte një ndëshkim për bashkëshortin e saj, por edhe për një shoqëri që nuk denjoi të dëgjojë klithmën e saj për ndihmën. Dhe këtu ndoshta duhet të ndihemi të gjithë fajtorë nga i pari te i fundit. Dhe të mos fusim kokën në rërë si struci, por të mendojmë për krizën e thellë të amoralitetit, ku kemi hyrë si shoqëri.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes