Tragjike/ Po kryenin punime në sistemin e kanalizimeve, ndërrojnë jetë 5 punëtorë

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Casteldaccia, në provincën e Palermos të Italisë, ku për pasojë kanë humbur jetën pesë punëtorë ndërsa një tjetër është në gjendje të rëndë në spital. Punëtorët vdiqën teksa po kryenin disa punime në një pusetë të sistemit të ujërave të zeza, ku u bllokuan nga një tym toksik.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, disa nga punëtorët kanë filluar të ndihen të sëmurë, dyshohet për shkak të helmimit me sulfur hidrogjeni që shkakton acarim të rrugëve të frymëmarrjes dhe mbytje. Pasi punëtori i parë nuk ka dalë, të tjerët kanë hyrë për të kuptuar se çfarë po ndodhte.

Punëtori i shtatë, duke mos parë kolegët që të dilnin jashtë, ka ngritur alarmin.

“Nëse do të ishin marrë të gjitha masat e nevojshme, e gjithë kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha komandanti i brigadës së zjarrfikësve të Palermos, Girolamo Bentivoglio Fiandra dhe konfirmoi se punëtorët kishin vdekur nga tymi i sulfurit të hidrogjenit dhe përjashtoi mundësinë që të kishte një shembje brenda kanalizimeve.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes