Në 3 ditët që lamë pas, termometri në vend ka shënuar temperatura 12 gradë mbi normalen për muajin Qershor. Por duke filluar nga dita e sotme, temperaturat do të pësojnë rënie.
Në një lidhje për Klan News, sinoptikani Hakil Osmani thotë se pritet që fillimjava do të sjellë një tjetër rënie të lehtë të temperaturave të ajrit.
Sipas Osmanit, muaji Qershor do të mbyllet me vlera rreth 37 apo 38 gradë Celsius.
Hakil Osmani: Kemi përjetuar 3 ditë mjaft të nxehta në territorin shqiptar, kemi përjetuar deri në 42.5 gradë Celsius, të regjistruar në qarkun e Beratit, por jo vetëm. Gjirokastra, Elbasani në 42 gradë Celsius, kryeqyteti ka qenë në 40.4 gradë Celsius. Kemi pasur në 12 gradë temperatura më të larta se sa vlerat normale.
Pyetje: Si do t’i kemi parashikimet për javën e fundit të muajit Qershor?
Hakil Osmani: Në fakt ka lajme të mira sa i përket fushës termike, kemi një rënie të temperaturave të ajrit, do të ndihet që në mesditën e ditës së sotme duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerës 38 gradë Celsius në qytetet e zonës së ulët dhe kryesisht jugu është ai që ka temperaturat më të larta, kryeqyteti do të jetë rreth vlerës 37 gradë Celsius.
Fillimjava sjell një tjetër rënie të temperaturave të ajrit, duke bërë që maksimumet të jenë rreth vlerës 35 apo 36 gradë Celsius. Kemi një rënie me 6 gradë Celsius. Duke filluar nga pjesa e dytë e javës do të kemi një rritje të lehtë të temperaturave të ajrit, duke bërë që pothuajse ditët e fundit e muajit Qershor të mbyllen me vlera rreth 37 apo 38 gradë Celsius.