Lajm me rëndësi! Ndryshon kategoria e lejes së drejtimit/ DPSHTRR: Ja procedurat që duhet të ndiqen

Plot 1662 qytetarë, kanë përfituar nga lehtësimi i procedurave për ndryshimin e kategorisë së lejes së drejtimit.

Lajmin e bëri të ditur drejtori i drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Ilir Mëngra, i cili informoi se kalimi nga leja e drejtimit e kategori B në D/D1 është thjeshtuar dhe nuk është më nevoja të kalosh përmes kategorisë C.

Duke ndarë statistikat e 6-mujorit të parë të vitit 2024, Mëngra u shpreh se nga lehtësimi i këtyre procedurave janë kursyer direkt dhe indirekt 4,790,715 lekë.

“Nga lehtësimi i këtyre procedurave janë kursyer 83,100 km vajtje ardhje dhe 139 ditë pune”, – tha Mëngra.

Ai theksoi gjithashtu, se DPSHTRR angazhohet maksimalisht në ndjekjen e vazhdueshme të ecurisë së çdo shërbimi, me procedurë të lehtësuar me qëllim matjen e efikasitetit.

RAPORTI I TË ARDHURAVE

Pak ditë më parë, DPSHTRR ka ndarë informacionin e saj mbi analizën e ecurisë së shërbimeve dhe të ardhurave për 6-mujorin e parë të vitit 2024, për të gjithë qytetarët, grupet e interesit apo analizuesit e informacionit.

“Rritja e të ardhurave të realizuara me 136% krahasuar me vitin 2019, ka dhënë impaktin në vijim: Totali i shërbimeve të ofruara: 1,563,273 krahasuar me janar-qershor 2019, 63% më shumë; qytetarë të shërbyer në 1 orë: 1,551 qytetarë të shërbyer në 1 orë 63% më shumë krahasuar me janar-qershor 2019; Numri i shërbimeve: 556,855; Ditë pune të kursyera: 249,571; Karburant i kursyer: 930,110 litra; lekë të kursyera: 1,736 miliardë lekë; rrugë të eliminuara: 13,3 km rrugë. Numri i shërbimeve RISI: 259,363 shërbime risi, 17% e totalit të shërbimeve; të ardhurat nga targat RISI: 115,567,666 lekë, 26% më shumë krahasuar me janar-qershor 2023, nga të cilat 54% janë realizuar nga Targat e Personalizuara; Targa të personalizuara, me përzgjedhje, suvenirë: 4,379 targa”, – thuhet në njoftimin e DPSHTRR.

HUMBJA E LEJES SË QARKULLIMIT

DPSHTRR bën me dije gjithashtu, se humbja e lejes së qarkullimit nuk ka përse të jetë një situatë stresuese.

Me dy hapa të thjeshtë ju rifitoni të drejtën tuaj ligjore për të drejtuar mjetin: denonconi në ‘e-Albania’ “Deklarimi i humbjes së dokumenteve të ndryshme” dhe pajisuni me vërtetimin e denoncimit të policisë. Drejtohuni pranë DRSHTRR-së ku ju keni vendbanimin dhe dorëzoni: Dokument Identifikimi, Vërtetimin e Denoncimit të Policisë, Certifikatën e pronësisë nëse nuk jeni pajisur me Lejen e re të Qarkullimit”, – bën me dije DPSHTRR.

Aktualisht, patentat kanë afat vlefshmërie deri në 15 vite, nga 10 vite që ka qenë deri në mars të 2023-it.

Vlefshmëria çdo 15 vite deri në moshën 70- vjeçare është për patentat e kategorive AM, A1, A2, A, B1, B dhe BE, çdo 15 vjet deri në moshën 70-vjeç.

Zgjatja në 70-vjeç, nga deri 65 që është, e të drejtës për Leje Drejtimi profesionale (me kufizim: Lejedrejtimet e kategorive C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE, janë të vlefshme për 5 vite, nëse janë lëshuar apo konfirmuar për persona deri në moshën 70-vjeç; për personat mbi 65-vjeç: lejedrejtimi e kategorive C dhe CE lëshohet për drejtimin e mjeteve, masa e përgjithshme e të cilave, me ngarkesë të plotë, nuk është më shumë se 20 ton.

Sakaq, leje drejtimi e kategorive D1 ose D, apo D1E ose DE, lëshohet vetëm për drejtimin e mjeteve shërbim taksi ose transport udhëtarë me mjet deri 8+1.

Ndërkohë patenta shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit anulohet. Qytetarët mund të rimarrin patentën shqiptare pa testim, drejtpërdrejt edhe nëse Leje Drejtimi e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.

Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Transportit Rrugor, ka njoftuar se një nga ndryshimet është rregulli për shoferët e rinj që pajisen me patentat të kategorisë B.

Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale DPSHTRR, thotë se të gjithë shoferët e rinj që pajisen me patentë të tipit B, nuk mund të drejtojnë një automjet me fuqi më të madhe se 65 KW/ton në 2 vitet e para pas marrjes së lejes së drejtimi.

Me këtë ndryshim, drejtuesit e rinj të automjeteve nuk mund të drejtojnë automjete me motor deri në 1.5 për ato që punojnë me benzinë apo që janë hibride.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes