Rama tjetër thirrje emigrantëve: Të punosh në Itali e Greqi, s’është më mirë se në Ksamil e Theth

Teksa ka publikuar një artikull të revistës Monitor, Edi Rama i bën thirrje emigrantëve që të kthehen të punojnë në Shqipëri.

Rama shprehet se Monitor nuk është një media fort e pëlqyer sipas këndvështrimit të qeverisë dhe sërish dëshmon se pagat në turizëm në vendin tonë për punonjësit kanë arritur deri në 1000 euro në muaj.

“Të punosh në turizëm në Greqi a në Itali a kudo tjetër në Europë, si emigrant shqiptar, nuk është më një zgjedhje më e mirë se sa të punosh në Shqipëri, nga Thethi e deri në Ksamil. Pagat e rritura shumë ndjeshëm dhe taksat e shpenzimet shumë më të ulëta se sa kudo gjetkë, e bëjnë sot punën në sektorin e turizmit shqiptar një zgjedhje më të mirë se sa në vende të tjera rrotull”, shkruan Rama.

Postimi i kryeministrit:
Revista “Monitor” është larg së qeni një burim mediatik gjithnjë i pëlqyeshëm për qeverinë. Prandaj edhe zgjodha ta postoj këtu artikullin e saj si një zë krejt i pavarur, i cili konfirmon atë çka po përpiqem të përsëris prej disa kohësh:

Të punosh në turizëm në Greqi a në Itali a kudo tjetër në Europë, si emigrant shqiptar, nuk është më një zgjedhje më e mirë se sa të punosh në Shqipëri, nga Thethi e deri në Ksamil. Pagat e rritura shumë ndjeshëm dhe taksat e shpenzimet shumë më të ulëta se sa kudo gjetkë, e bëjnë sot punën në sektorin e turizmit shqiptar një zgjedhje më të mirë se sa në vende të tjera rrotull.

Disa fragmente nga artikulli i “Monitorit” dhe citime të vetë operatorëve turistikë:

Sezoni turistik i këtij viti po përballet me një ndryshim të rëndësishëm në sektorin e turizmit: rritjen e pagave që ka ndihmuar në zgjidhjen e një problemi të vazhdueshëm—mungesën e fuqisë punëtore. Rritja e pagave ka bërë që sektori turistik të tërheqë më shumë punonjës sezonale dhe të përmirësojë cilësinë e shërbimeve.

Ky përmirësim ka ndihmuar në stabilizimin e shërbimeve dhe ka ofruar një eksperiencë më të mirë për turistët.

“Nuk është zgjidhur 100%, por jemi shumë më mirë se sezonet e mëparshme, kjo sigurisht nga rritja e pagave në turizëm; pra, sot po të marrësh disa nga punët më të vështira si sanitare në hotele, pagat janë më të larta se punonjësit e bankave, duke arritur deri në 1000 euro në muaj”…

“Të gjitha hotelet dhe bizneset që e kanë marrë seriozisht këtë sezon janë detyruar t’i rrisin pagat, sepse ky sektor nuk mund të vazhdojë ashtu si ka vazhduar këto vite, ku ne marrim staf, i trajnojmë për 2-3 muaj, i japim pagat dhe ata largohen. Tashmë ne jemi me kontrata fikse dhe paga shumë të kënaqshme, dhe deri më tani për këtë vit po shohim që kjo zgjidhje është e duhura”…

Një kamerier në jug të vendit këtë sezon veror po paguhet mesatarisht 900-1000 euro në muaj, ndërsa një sanitare mund të fitojë deri në 700 euro në muaj. Këto paga janë raportuar edhe në zonat e tjera bregdetare, ku operatorët turistikë theksojnë se pagesat më të larta janë për shefat e kuzhinës dhe menaxherët e bareve. Në disa raste, pagat për këto pozicione arrijnë deri në 3000 euro në muaj.

“Për të adresuar mungesën e stafit të kualifikuar, kemi ndërmarrë masa duke rritur pagat, të cilat këtë vit arrijnë deri në 1000 euro për kamerierët. Baksishet, të cilat përbëjnë një burim të veçantë të ardhurash për ta, nuk janë përfshirë në këtë shumë. Rritja e pagave është bërë e nevojshme pasi për vite kemi vuajtur nga mungesa e fuqisë punëtore”…

Tashmë edhe emigrantët po zgjedhin të rikthehen gjatë sezonit, jo vetëm për pushime, por edhe për të punuar me paga që krahasohen me ato në shtetet europiane. Disa prej tyre kanë vendosur që këtë sezon të punojnë në Shqipëri.

“Ata zgjedhin të punojnë në profesione si kuzhinier, shef kuzhine, apo menaxher, ku pagat janë shumë të larta. Niveli i jetesës në Shqipëri, që është më i ulët se në vendet e tjera europiane, është një faktor i rëndësishëm në këtë zgjedhje”…

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes