Largimi prej 7 muajsh nga shtëpia e ka sjellë Elisën përballë kunatës së saj, Xhemiles në “Shihemi në Gjyq”, që i kërkon të dalë nga shtëpia. Por detaji që tërhoqi menjëherë vëmendjen e publikut të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan ishte fraza e Elisës se donte vetëm të njihte nënën e saj.

Ajo nis të rrëfejë më tej historinë tronditëse ku tregon se vetëm 3 vite më parë ka takuar nënën biologjike. Elisa thotë se ajo e kishte lënë në Shtëpinë e Fëmijës kur ishte vetëm një ditëshe dhe më pas ishte birësuar.

Elisa: Unë sot jam 38 vjeç. Në moshën 35-vjeçare, përpara 3 vjetësh, unë kam njohur nënën time biologjike. Mua më kanë rritur dy prindër të mrekullueshëm, më kanë marrë nga Shtëpia e Fëmijës…më kanë marrë dy muajshe.

Xhemile: Çfarë prindërish të mrekullueshëm moj?

Eni Çobani: Po flet për prindërit birësues moj zonjë, jo për biologjikët, për birësuesit, të lutem, dëgjo tani.

Elisa: Ata sot nuk jetojnë më.

Eni Çobani: Edhe njëherë Elisa, ti je një vajzë e birësuar, që në një moshë shumë të vogël apo jo?

Elisa: Shumë të vogël.

Eni Çobani: E sapolindur.

Elisa: E sapolindur, njëditëshe në maternitetin e Bradasheshit, Elbasan. Nëna ime biologjike e ka emrin Luljeta Lukani, babai e ka Ramazan. Mua më kanë rritur dy prindër fantastikë…

Xhemile: Ku të rritën moj, të të rrisnin të mbanin në shtëpi, jo të të jepnin për birësim….

Përmes një mikeshe, Elisa arriti të kontaktonte dhe të takohej me nënën e saj. Ajo thotë se atë moment nëna e mohoi sërish. 38-vjeçarja është fryt i një lidhjeje jashtëmartesore i nënës së saj biologjike, Luljetës me kunatin.

Elisa: Pasi takova nënën time, i takova, i përqafova, kujtova se do të më donin përsëri por që në momentin që më lanë dhe kjo ishte hera e dytë që mua ajo më mohoi prapë zonja Eni.

Eni Çobani: Çfarë ka ndodhur pra? Nëna juaj është kush? Kush është nëna?

Elisa: Nëna ime, Luljeta Lukani është dashuruar me burrin e motrës së vet dhe mua më ka lindur nga një martesë që tezja ime jetonte.

Xhemile: I thosha mos shko, ia shkatërroi jetën vëllait tim! Ka dy kalamajtë duke i rritur!

Eni Çobani: Edhe njëherë që ta kuptojmë: nëna juaj ka qenë beqare.

Elisa: Nëna ime ka marrë burrin e motrës së vet, tezja ishte gjallë dhe nëna ime ka arritur për të shkuar me burrin e motrës së vet. Ka arritur dhe më ka braktisur njëditëshe në Shtëpinë e Fëmijës ku më morën prindërit birësues që edhe sot që ata nuk jetojnë, unë nuk gjej fjalë se më kanë rritur me një edukatë të madhe, më kanë rritur me shkollë, më kanë rritur fëmijët.

Elisa shton se gjithçka ka ndodhur gjatë kohës që tezja e saj vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Ajo ndërroi jetë një vit pas lindjes së Elisës, e cila ishte lënë në Shtëpinë e Fëmijës. Shtatzënia e nënës biologjike të Elisës u mbajt e fshehtë dhe kur vajza lindi, u quajt fillimisht Silvana. Në maternitet u deklarua amësia dhe prejardhja nga një lidhje jashtëmartesore, por gjyshi i saj e regjistroi fshehurazi në trungun familjar, fakt që u mësua vetëm pas vdekjes së tij.TvKlan.al