Vjen lajmi i mire për shqiptarët në Greqi, kryebashkiaku i Athinës zbulon çfarë do të ndryshojë për ta

Një takim me përfaqësues të Komunitetit Shqiptar në Greqi ka realizuar të djelën në mbrëmje kryebashkiaku i Athinës, Charis Doukas (Haris Dhukas). Në një klimë tepër miqësore, Doukas ka paraqitur edhe për komunitetin shqiptar e shqipfolës të Greqisë kandidaturën e tij për kryesinë e partisë së majtë PASOK, duke i ftuar të gjithë të jenë pjesë e zgjedhjeve partiake, më 6 tetor 2024.

Fjala e Kryebashkiakut të Athinës, politikanit të PASOK që fitoi rivalin e tij të fuqishëm, Kostas Bakojanis, nipin e kryeministrit Mitsotakis, me një rezultat surprizë e historik, ka hedhur tashmë hapin më të guximshëm deri më sot nga politikanët grekë. Fjala e Doukas ka prekur çështjet problematike të komunitetit shqiptar në Greqi, si vonesën e lejeve të qëndrimit, mohimit të pajisjes me nënshtetësi greke të brezit të dytë dhe të drejtën e pensionit për emigrantët që plotësojnë vitet e punës pa dallim nga vendasit, jo me justifikime apo sqarime, por realisht dhe me zgjidhje të prekshme. Doukas nuk ka hezituar aspak para të pranishmëve të bëhet jo zëri përballë, por zëri i tyre. Të befasuar të pranishmit kanë dëgjuar një politikan e kryebashkiak të adresojë problemet e tyre, me të njëjtin këndvështrim real e të qëndrueshëm të vetë banorëve emigrantë të Greqisë, mbi 3 dekada tashmë.

Për historikun, partia e majtë historike greke PASOK rizgjedh kryesinë me votime të hapura në dy të djelat e para të tetorit, 6 dhe 13 tetor, ku siç ka theksuar dhe Charis Doukas, të gjithë banorët e vendit duhet të bëhen pjesë e procesit zgjedhor. Ky është një shans për komunitetin emigrant të bëhen pjesë aktive e zhvillimit, një momentum që nuk duhet anashkaluar e humbur!

Drejtuar të pranishmëve, Doukas është referuar në kontributin e rëndësishëm të komunitetit tonë në Greqi, por edhe në historikun e vështirë si dhe problematikën e madhe e serioze me të cilën vazhdojnë të përballen, duke premtuar se do të jetë gjithmonë pjesë e zgjidhjes dhe e ndryshimit real.
Madje, ka dëgjuar me vëmendje ndërhyrjet e aktivistëve pjesëmarrës, duke reflektuar dhe pranuar të vërtetat e mëdha e shprehur entuziazmin për komunikimin e civilizuar akoma dhe në referimin e padrejtësive madhore ekzistente në Greqi si dhe kualifikimin e arritur, pavarësisht vështirësive, nga ky komunitet masiv.

Fjala e plotë

Charis Doukas është shprehur se: “Jam tepër i gëzuar që ndodhem mes jush, mes heronjve të vërtetë, që nuk hezituan në vitet e vështira 90’ të atdheut tuaj të rindërtojnë një strehë të sigurtë këtu për familjet e tyre. Mes jush që pavarësisht kushteve tepër të vështira, rifilluat nga zero dhe fituat të drejtën të ëndërronit e të jetonit ëndrrën tuaj. Punuat shumë fortë, e dimë që ju janë bërë shumë padrejtësi. Fëmijët tuaj ndjekin shkollat greke, shpresh u përballën me sjellje ekstreme, tepër të dënueshme, me probleme të mëdha.E dimë se çdo gjë e bëtë me shumë sakrifica. Por Ju ja dolët mbanë! Jo vetëm u integruat në shoqërinë greke, por ndihmuat Greqinë të ndërtojë ëndrrën e mirëqënies në dekadën e parë të viteve 2000. Gradualisht, u themelua një komunitet greko-shqiptar me fëmijë që u lindën në Greqi, por kanë rrënjë shqiptare e mbartin kulturën e të dy popujve. Ky brez, gradualisht e megjithë vështirësitë, ndryshoi realitetin. Sepse sot asnjë shqiptar nuk e fsheh më origjinën e tij. Kjo është arritja juaj, si dhe arritje e një përqindje të lartë të shoqërisë greke që ju mirëpriti me solidaritet të thellë.
Brezi i parë i shqiptarëve i përkiste thuajse plotësisht klasës punëtore, brezi i dytë dhe tashmë jemi në prag të brezit të tretë, studoi dhe arriti të sundojë fenomenin e mobilitetit shoqëror.

Ky brez është inisiator dhe novator, dallon kudo, në shkollat tona apo në profesionin e zgjedhur.
Sot jeni një pjesë e pandarë e shoqërisë greke!
Por akoma ka probleme. Komuniteti shqiptar në Greqi përbëhet nga thuajse 400.000 anëtarë, mbi 100.000 prej jush akoma nuk kanë leje qëndrimi dhe jetojnë në një sistem pasigurie e përkohshmërie. Sepse statusi i ligjshmërisë për shumë prej jush mbetet pezull apo i paqartë.
Shqyrtimi i kërkesave për leje qëndrimi vonon jashtëzakonisht, si për shkak të rritmeve të ulta të punës së shërbimeve kopetente të administratës, ashtu edhe për shkak të pamundësisë në plotësimin e kritereve për to. Kriteret për shumë prej jush janë të tepruara, sepse kështu është natyra e punësimit tuaj, llojet e profesioneve që kanë shumica e brezit të parë, në ndërtim, shtëpitë greke dhe bujqësi.
Për më tepër, fëmijët, brezi i dytë i emigrantëve, të integruar plotësisht në shoqërinë greke, nuk kanë përfituar akoma nënshtetësinë greke, edhe pse jetojnë këtu mbi 20 vjet.
Problem madhor mbetet fakti që Greqia nuk arriti të adoptojë politika emigracioni rezultative, jo për asimilimin, por për integrimin e qindra mijra shqiptarëve emigrantë.

Por ndoshta problemi më madhor për ju është çështja e pensionit, për përqindjen më të lartë të pensionistëve nuk është zbatuar akoma amendamenti i uljes së viteve të kërkuara për pensionin bazë nga 40 vite në 30 vite. Me mijra pensionistë humbasin pensionin për shkak të një vonese duke shkaktuar një pakënaqësi plotësisht të justifikuar. Siç shumë prej jush humbasin pensionin për pak muaj dhe pak ditë sigurimi shoqëror. Këto janë çështjet që duhet të jenë në epiqendër të komunikimit Greqi-Shqipëri.

Të diskutohen e të jepen zgjidhje për njerëzit që u sakrifikuan kaq ashpër, shumë vite. Këto çështje janë pjesë e axhendës sonë. Sepse janë çështje të shumë njerëzve për të cilët ne kujdesemi. Në 6 tetor sëbashku bëjmë një restart. Të ndryshojmë shumë në PASOK dhe në Vendin tonë.
Filozofia jonë bazë është në epiqendrën e politikës dhe politikanëve të rivendoset Njeriu, të gjithë ju. Të evidentojmë problemet dhe të japim zgjidhje të shpejta e rezultative. Në këtë përpjekje ju duam pranë. Votoni edhe ju në 6 tetor. Por ju duam pranë edhe ditën e nesërme, pas zgjedhjeve. Të diskutojmë së bashku, të vendosim bashkë e të japim zgjidhjet bashkë.
Nuk duam të vendosin të tjerë për ju, pa ju. Takimi ynë në 6 tetor të bashkojmë fuqitë e të rizgjojmë shpresën” ka përfunduar fjalën e tij para shqiptarëve të Greqisë, Charis Doukas.

Aktiviteti është organizuar me inisiativën e aktivistit dhe anëtarit të PASOK, Greqi dhe PS Shqipëri, z. Anastas Murati, ndërsa është prezantuar nga Ira Londo, sekretare e Këshillit Koordinues të Diasporës.