“Lamtumirë” i nxehtë. Temperaturat e larta, madje më të larta se mesataret mujore klimatike, tashmë nuk do të jenë prezente në Shqipëri dhe tabloja meteorologjike ndryshon plotësisht, parashikon Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Sipas SHMU, kjo do të ndodhë pasi mbi vendin tonë pritet depërtimi i njëpasnjëshëm i disa qendrave të thella të presionit të ulët shoqëruar me masa ajrore të lagështa dhe të ftohta.
Depërtimi i këtyre qendrave ciklonare mund të jetë problematike sepse do të sjellin paqëndrueshmëri të menjëhershme (zhvendosja e shpejtë e ajrit të ngrohtë me ajër më të ftohtë) dhe energji potenciale të çliruar në mënyrë të vrullshme.
Por si përkthehet kjo?
Kjo përkthehet në radhë të parë në mot kryesisht të vranët, por më e rëndësishmja reshje shiu të cilat do të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike dhe breshër (pa harruar elementin e erës së fortë).
Për ditën e hënë moti parashikohet fillimisht me kthjellime e vranësira në shtim deri të dendura. Deri në orët e mesditës reshje shiu me intensitet të ulët ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore deri mesatar në formën e shtrëngatave. Në orët e vona të mbrëmjes reshje shiu me intensitet mesatar në të gjithë territorin ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore reshjet me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve shoqëruar me shkarkesa elektrike dhe breshër. Për ditën e martë moti parashikohet i vranët dhe reshje shiu të cilat në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mesditës do të jenë me intensitet mesatar e përgjatë ultësirës perëndimore lokalisht deri të lartë. Më pas reshjet me intensitet të ulët dhe mesatar.
Për ditën e Mërkurë dhe ditën e Enjte rikthehen kthjellimet por edhe alternimet e vranësirave deri të dendura të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar në formë shtrëngatash. Për ditën e Premte përsëri mot i vranët dhe reshje shiu me intensitet mesatar dhe përgjatë ultësirës perëndimore deri të lartë në formë rrebeshesh dhe stuhi.
Duhet theksuar gjithashtu se ditën e Hënë dhe atë të Premte parashikohet erë intensive nga kuadrati i jugut me shpejtësi deri në 20-22 m/s erë problematike përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore. Gjithashtu pritet një rënie graduale e temperaturave por në ditë të caktuara rikthehen në vlerat mbi 30 gradë, kjo për shkak të erës së fortë jugore.