Një distancë një metër i kushtoi jetën 27-vjeçares shqiptare Adela Xhaferri mbrëmjen e 6 dhjetorit në zonën e Brescias në Itali.
E reja shqiptare u përplas nga një automjet sapo i kishte shpëtuar vdekjes nga një aksident me makinë me të dashurin e saj dhe kishte dalë në anë të rrugës.
Ajo po udhëtonte si pasagjere në makinën që drejtohej nga i dashuri i saj, i cili rrëshqiti dhe përfundoi në anë të rrugës. Adela doli nga mjeti pa lëndime të mëdha, por pak minuta më vonë, u përplas për vdekje nga një mjet tjetër.
Si ndodhi ngjarja
Adela sapo kishte përfunduar turnin e saj të punës në korneteria Dolce Notte në via Lechi, në Brescia. Jashtë, duke e pritur, ishte i dashuri i saj: së bashku shkonin në shtëpinë e tij, në Rovato, gjysmë ore me makinë nga qyteti.
Pasi doli nga unaza jugore, në zonën e Travagliato, në kryqëzimin me A-35, makina rrëshqiti dhe përfundoi duke u rrotulluar. Dy të rinjtë nuk kanë pësuar lëndime, por pak minuta më vonë, një makinë ka goditur Adelën duke e vrarë në vend.
Ardhja e ndihmës, e thirrur nga i dashuri, ishte e kotë. Me të mbërritur, punonjësit e shëndetësisë nuk kanë mundur të shpëtojnë të renë.
Rikonstruksioni i detajuar i dinamikës së aksidentit po shqyrtohet nga policia, e cila i ka nënshtruar menjëherë analizave të alkoolit si të dashurin e Adelës, ashtu edhe shoferin që e vrau, por të dy nuk kishin pirë.