Njëmbëdhjetë persona vdiqën dhe dy të tjerë u plagosën në një zjarr në një bar kafe në Hanoi. Zjarri ra të mërkurën vonë ndërsa policia dyshon se tragjedia u shkaktua nga zjarrvënia. Më tej bëhet me dije se është arrestuar një i dyshuar. Shërbimet e urgjencës shkuan në vendngjarje dhe arritën të shpëtojnë shtatë persona, dy prej të cilëve u dërguan në spital. Por 11 persona u gjetën të vdekur.
Dëshmitarët okularë thanë se zjarri ishte aq intensiv sa askush nuk guxoi të përpiqej të shpëtonte njerëzit në lokal derisa shkuan shërbimet e urgjencës.
“Ne u thërrisnim viktimave të bllokuara, por nuk dëgjonim askënd që bërtiste për ndihmë nga brenda”, tha një qytetar pranë vendit të ngjarjes për gazetën zyrtare Dan Tri.
Sipas organeve të rendit, i dyshuari shkoi në lokal për të pirë një birrë por u debatua me stafin. Më pas ka shkuar për të blerë karburant, është kthyer, ka derdhur karburant në një zonë ku ishin parkuar motoçikletat dhe në katin përdhes të pallatit dhe i ka vënë flakën.