E tradhtonte me “Zanën nga Korça”, burri i bën kërkesën e cméndur ish gruas: Hiqu si ajo kur tê..

Sikur të mos mjaftonin sakrificat e viteve të martesës dhe sfidat sfilitëse pas divorcit, nëna e Ornelës, Nuria u largua nga ajo shtëpi me një akt të fundit. Edhe pse i shoqi e kishte keqtrajtuar gjatë martesës, tradhtuar, krijuar vazhdimisht stërmundime për të e vajzat, ajo ia realizoi edhe një kërkesë.

Vajza, Ornela e tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan sesi nëna pranoi që të shtirej si gruaja me të cilën ai e kishte tradhtuar, Zana nga Korça që të kryhej celebrimi i tyre.

Ornela: Dua të them edhe një detaj, nuk e bën çdo grua atë. Para se të iknim, babi i thotë mamit se u nda, u bë divorci e gjithçka. “Unë do të bëj celebrim me Zanën, Zana nuk vjen dot se nuk mundet nga Korça” se Zana nuk donte përplasje me mamin. “A mundesh ti që të vish me mua dhe të bësh celebrimin në vend të Zanës?”

Ardit Gjebrea: Pra të bëhej mami yt, Nuria sikur ishte Zana?

Ornela: Nuria ka shpërndarë llokume për Zanën.

Ardit Gjebrea: Po Zana erdhi, jetoi ndonjëherë me babin në atë shtëpi?

Ornela: Pasi ikëm ne, patjetër, jetoi.

Nëse më parë qëndrimi në një shtëpi me të atin kishte qenë i vështirë për Ornelën, motrat e nënën e saj, Nurien, divorci i përkeqësoi gjërat. Pas tij, gjykata vendosi që vajzat do të qëndronin me nënën, por në të njëjtën shtëpi me të atin për njëfarë kohe.

Gjatë kësaj periudhe, ai nuk i reshti përpjekjet për t’ua vështirësuar sa më shumë situatën. Ornela tregoi në “Ka Një Mesazh Për Ty” për sjelljen e tij, tradhtinë, martesën me një grua tjetër që e solli në këtë shtëpi e njëkohësisht vazhdonte letërkëmbimin me zonjën nga Korça dhe në fund, gjeti mënyra për ta blinduar shtëpinë.

Ornela kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan kushtet primitive që iu desh të përshtatnin sepse babai bllokoi dyert që vajzat e Nuria mos të lëviznin nëpër shtëpi.

Ornela: Gjykata vendosi që shtëpia t’i mbetej atij dhe ne të vendoseshim aty provizorisht. Ishte shumë e çuditshme që një çift të rrinë të ndarë në një shtëpi.

Ardit Gjebrea: Po si ndenjët ju?

Ornela: Kur shkuam ne në shtëpi, ai kishte dhomën e gjumit, korridorin dhe tualetin, kurse ne kishim kuzhinën, aneksin dhe ballkonin.

Ardit Gjebrea: Po tualeti?

Ornela: Jo, nuk kishim.

Ardit Gjebrea: Po si do të shkonit në tualet ju?

Ornela: Nuk… ne kishim vetëm gjëra primitive. Nuk na e hapte derën, ai na e mbylli derën e kuzhinës nga jashtë.

Ardit Gjebrea: Po ju nga dilnit?

Ornela: Neve, për fatin tonë të mirë, shtëpia ishte pallat dhe në kat të parë, ne vendosnim një karrige te ballkoni dhe hidheshim jashtë.

Ardit Gjebrea: Pra futeshit nga ballkoni në shtëpi, jo nga dera.

Ornela: Nga ballkoni.

Ardit Gjebrea: Për sa kohë zgjati kjo?

Ornela: Kjo zgjati për 3 vite e gjysmë.

Ardit Gjebrea: Jo!

Ornela: Po, po, po. Ndërkohë që ai bënte tentativa që ne të iknim…

Ardit Gjebrea: Më fal, ai ishte me atë nga Kavaja?

Ornela: E solli pasi mbylli derën, pasi u bë divorci, pasi gjykata më caktoi mua me mamin dhe ne të treja u vendosëm aty në kuzhinë, ai e solli atë gruan, u martua me të dhe ne gjithmonë, ajo motra e vogël e shikonte nga vrima e çelësit, shikonte atë çunin, shikonte familjen e re të babit dhe thoshte “o mami, si po i thërret babi, është babi jonë?”

Ornela nuk ruan kujtime të bukura me të atin, nuk mban mend as ndonjë çast dhembshurie e dashurie prej tij. Marrëdhënia e tij dhe e vajzave ishte kthyer në një interes të njëanshëm kur dera e kuzhinës hapej vetëm që ato të bënin punët e shtëpisë në pjesën e tij. Një ditë, vajza e vogël bëri një ‘krim’ të pafalshëm.

Ornela: Një ditë e hapi dhe tha “më bëni pak punët” dhe iku në punë, mami ishte në punë dhe vazhduam. Motra e vogël, ajo ishte e vogël, hyri në dhomën e tij dhe pa një fotografi. Aty në mur ishte fotografia e Zanës.

Ardit Gjebrea: Nga Korça.

Ornela: Po. Motra mori karrigen, mori fotografinë dhe e grisi. Ardit, për mua ka qenë shumë, shumë e vështirë, më dridheshin gjunjët nga frika. Dola të kërkoja vinovil ta ngjisja se kishim shumë frikë se çfarë do të na thoshte babi.

Ardit Gjebrea: E ngjite?

Ornela: Gjeta e ngjita, po, ai kur erdhi e kuptoi, nuk ndodhi gjë për fatin tonë të mirë se kishim bërë vërtet një krim./tvklan.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *