Bujar Nasufi, 56 vjeç, është ekzekutuar në Tiranë pranë banesës së tij.
Viktima ndodhej i vetëm në makinën e tij kur u qëllua me dy plumba në gjoks nga një distancë e afërt. Sipas raportimeve Nasufi sapo kishte ndaluar makinën dhe po përgatitej të hynte në shtëpi kur autori, që dyshohet të ketë vepruar i vetëm, qëlloi me pistoletë përmes xhamit ballor dhe atij anësor të automjetit.
Konfliktet brenda rrethit familjar është pista kryesore e hetimit të policisë në lidhje me ekzekutimin e 56-vjeçarit. Hetuesit kanë arritur që të sekuestrojnë disa kamera sigurie ku duket autori i krimit, i cili me kapuç është munduar që të fshehë identitetin e tij. Madje autori ka qenë duke e pritur viktimën në afërsi të banesës.
U mësua se 56-vjeçari u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij. Kjo e fundit ishte brenda mjetit në momentin kur autori u afrua dhe e qëlloi shënjestrën duke e lënë të vdekur në vend. Fillimisht në rrugicë është futur mjeti i të vëllait, ndërsa pas ka qenë mjeti i viktimës. Sapo ky i fundit ka dashur të parkojë në rrugë, autori është afruar dhe e ka qëlluar dhe më pas është larguar me motor.
Viktima nuk kishte precedentë penalë dhe fqinjët e përshkruajnë si një njeri të qetë, pa konflikte dhe që bënte një jetë normale. Grupi hetimor po analizon kamerat e sigurisë dhe po punon për të identifikuar autorin e ngjarjes, ndërsa në zonë janë ngritur postblloqe për të parandaluar largimin e tij.