Kryeministri Edi Rama doli sot para mediave për të analizuar disa akuza të rënda të ngritura në vite nga opozita duke i mohuar plotësisht ato.
Ai përmendi se ishte akuzuar se në gjyqin e divorcit kishte akuzuar ish-gruan se djalin e kishte me babanë duke shtuar se divorci im ka qenë tërësisht paqësor.
“Unë jam gati të vë bast se nuk ka një akuzë të mundshme që mund të mos më ketë ardhur nga ajo zorrë në gjithë këto vite.
Më kanë bërë përdhosës të familjes sime, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit kam akuzuarish-gruan time se djalin tim e kishte me babanë tim. Divorci im ka qenë tërësisht paqësor.
Siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë që thjesht për ta imagjinuar duhet të jesh egërsi, jo udhëheqës i popullit.
Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose të treja bashkë, por jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual.
Më kanë bërë dhunues grash, madje dhunues të, ndjesë pastë, të nënës sime”, tha Rama.
Ndërsa shtoi: “Më kanë bërë skizofren me kartelë mjekësore, e kanë fabrikuar dhe publikuar edhe kartelën. Jo, nuk ka patur lavdi Zotit, asnjëherë probleme të shëndetit e mendor, por sigurisht nuk kishte si të mos akuzohesha dhe për këtë nga katrani me bojë, me diplomë mjeku që i hy në hak edhe të sëmurëve më fatkeqë edhe familjeve të tyre, duke i përdorur si kategori negative për llogari të luftës së tij përçudnuese politike.
Më kanë bërë me 200 apartamente në Shqipëri dhe Europë dhe 200 milionë dollarë, dreqi e di ku. Jo! Pastaj kur u bekuam nga Zoti me një fëmijë tjetër, e bëmë dhe ne shtëpinë tonë në periferi të Tiranës.
Më kanë bërë me saraje, ç’nuk kanë fantazuar duke thënë me çfarë lekësh është ndërtuar puna jonë. Jo! Nuk është bërë me lekë nga asnjë burim tjetër, përveç të ardhurave nga puna e të dyve ne, burrë dhe grua.
Më kanë bërë si veten, politikan që marr para nga firmat që hedh, që fus duart në buxhetin e shtetit. Paraja nuk ka qenë asnjëherë tundim i madh për mua.
Mi hedhin mua të gjitha në kurriz se çfarë kanë bërë vetë, apo çfarë do të ishin vetë nëse do të ishin në pushtet.
Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme, më kanë dalë dhe vazhdojnë më teprojnë dy ‘droga’ çudibërëse për mua, arti dhe lufta politike.
Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim. Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, mua askush nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor dhe bashkëpunëtorët i zgjedh vetë.
Më kanë bërë vjedhës votash, jo! As që e diskutoj që janë blerë vota në Shqipëri dhe që janë përzier në zgjedhjet e këtyre 30 e kusur vitesh elementë të krimit, por as e diskutoj që në një palë zgjedhje në Shqipëri, minimalisht që prej vitit 2013, leku ose elementët kriminalë nuk kanë vendosur kurrë se kush ikën apo kush vjen në qeveri dhe në bashki. Nuk ka lek e maskarallëk politik që ndryshon vullnetin e popullit”, deklaroi Rama.