Meteorologu Akil Osmani përmes një lidhjeje të drejtëpërdrejtë me studion e lajmeve të televizionit FaxNews, foli mbi situatën meteorologjike për ditët në vijim.
Osmani theksoi se vala e të nxehtit që ka kapluar vendin do të vijojë dhe 2-3 ditët e ardhshme deri të shtunën kur kemi një rikthim të reshjeve dhe vranësirave në shumicën e territorit të vendit. Nga e diela sipas Osmanit do të rikthehen temperaturat normale, por sipas tij nuk përjashtohet mundësia e rikthimit të të nxehtit afrikan me temperatura mbi 40 gradë gjatë muajit korrik.
“Për sa i përket kushteve të motit edhe në ditën e sotme mbetemi në mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të pakta, këto të fokusuara kryesisht në zonën lindore
Ditën e nesërme kemi një shfaqje më të dukshme të vranësirave kryesisht në zonat malore, ku do të gjenerohen dhe reshje të izoluara të pakta në veri dhe në zonën lindore. E shtuna do të sjellë dhe zhvillim të vranësirave në territorin shqiptar që do të krijojnë kushte për reshje të pakta afatshkurtra në një pjesë të mirë të territorit shqiptar.
E diela sjell një përmirësim të kushteve të motit duke i lënë vranësirat dhe reshjet vetëm në zonat malore.
Lëvizjet e masave ajrore që vijnë nga kontinenti afrikan sjellin dhe temperaturat e larta që kanë qenë prezente në vendin tonë.
Kjo do të jetë një valë e shkurtër që do të zgjasë dy tre ditë dhe më pas do të kemi një rikthim të temperaturave normale, por përsëri pak më të larta se mesatarja.
Nuk përjashtohet mundësia që në pjesën e mbetur të muajit korrik të kemi një rikthim të valëve të të nxehtit në territorin shqiptar me temperature mbi 39 gradë”, tha Osmani.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!