Vijon të rëndohet situata nga helmimi masiv në Deçan të Kosovës, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i personave që kanë shkuar në spital ka shkuar në 884 persona.
Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ndërsa trupi i vik timës do t’i nënshtrohet ekspertizës, për të mësuar më shumë lidhur me rrethanat e tij. Më shumë se 800 persona janë helmuar në Deçan të Kosovës, ndërsa dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të ujit të ndotur. Megjithatë pritet ende përgjigjja e analizave biokimike të ujit.
Dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike të ujit. Kryetari Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë brenda një muaji që ndodhin helmime.
Ai u shpreh se është vendosur që uji të mos përdoret më, deri sa të dali përgjigjja e analizave.
“Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet e njëjta skenë që na bën të mendojmë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Prokuroria dhe hetuesit po merren me ngjarjen. Nëse analizat mikrobiologjike e nxjerrin ujin të dëmshëm, për personat përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese politike, ligjore e administrative”, tha ai.
Rastet e helmimit filluan që para dy ditësh, ku persona nga fshatrat Irzniq, Prilep e Lugu i Branit, kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës. Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme. Furnizimi me ujë në këto fshatra është ndërprerë deri në daljen e përgjigjes së analizave./shqiptarja
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!