Gjatë 24 orëve të fundit policia ka vënë në pranga 17 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 11 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Po ashtu, policia thotë se 3 drejtues mjetesh u arrestuan, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, pasi kanë tentuar që të korruptojnë punonjësit e Policisë Rrugore. 2 prej tyre janë arrestuar nga Policia Rrugore e Tiranës dhe 1 nga Policia Rrugore e Lezhës.
Rastet e konstatuara nga policia
1. Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, pas informacionit të dhënë nga qytetaret se drejtuesi i një automjeti tip “Benz”, që dyshohej se ishte nën efektin e alkoolit po qarkullonte në korsinë e shërbimit publik në rrugën “Dritan Hoxha”, duke rrezikuar për t’u përfshirë në ngjarje rrugore, u angazhuan menjëherë dhe bënë të mundur ndalimin e automjetit të dyshuar në rrugën “Grigor Gjirokastriti”, drejtuesi i të cilit kishte shenja të dukshme të përdorimit të alkoolit dhe refuzoi në mënyrë të përsëritur të bëjë testin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore për testimin e drejtuesit të automjetit, shtetasi me iniciale A. N., 56 vjeç, ai i ka ofruar punonjësve të Policisë, dy kartëmonedha me prerje 5000 lekë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
2. Gjithashtu, në Rrugën e Arbrit, efektivët e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, pas telefonatave të ardhura nga qytetarët, kanë konstatuar automjetin me drejtues shtetasin F. L, 36 vjeç, i cili po drejtonte automjetin në mënyrë të çrregullt. Nga testimi me alkooltestues, 36-vjeçari ka rezultuar nën efektin e alkoolit. Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit i ka ofruar punonjësit të policisë, dy kartëmonedha me vlerë 1000 lekë, me qëllim shmangien e ndëshkimit për shkeljen e kryer.
3. Në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Lezhë, gjatë monitorimit të qarkullimit me radar, kanë konstatuar një automjet tip “Benz” që qarkullonte me shpejtësi tej normave të lejuara. Drejtuesi i mjetit, shtetasi D. K., 31 vjeç, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore, një kartëmonedhë të prerjes 5000 lekë, me qëllim shmangien e masës administrative dhe pezullimin e lejes së drejtimit.
-Falë telefonatave të qytetarëve, rreth orës 21:30, shërbimet e Policisë Rrugore të kryeqytetit, pasi janë njoftuar se dy motomjete me fuqi motorike të lartë ishin duke bërë gara shpejtësie me njëri-tjetrin dhe manovra të rrezikshme në rrugë, janë vënë në ndjekje të tyre. Të dy drejtuesit e motomjeteve janë ndaluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe janë proceduar me masa administrative sipas ndryshimeve të Kodit Rrugor, përkatësisht njëri me 40.000 lekë të rinj, pasi kishte gjoba progresive dhe tjetri me 20.000 lekë të rinj, pasi nuk kishte masa të tjera administrative në historik.
– Gjithashtu, në Mat, falë telefonatave të qytetarëve se drejtuesi i një mjeti tip “Benz” që po kryente manovra të rrezikshme në rrugë duke qarkulluar në sens të kundërt, në vendin e quajtur “Ura e Matit” ishte përplasur me një motomjet dhe po vijonte lëvizjen duke rrezikuar jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës, shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në ndjekje duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Z., 38 vjeç, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur në masën 0.72 mg/l.
Po gjatë 24 orëve, si rezultat i kontrolleve dhe denoncimeve në Komisariatin Dixhital e në numrin pa pagesë 112, janë ndëshkuar me masë administrative 1789 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si parakalime e manovra të rrezikshme në rrugë, shpejtësi tej normave të lejuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit apo kaskës mbrojtëse, drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.
Gjithashtu janë pezulluar 35 leje drejtimi, nga të cilat 26 për drejtim mjeti me shpejtësi tej normave të lejuara, që varionte nga 78 km/h në qendrat e banuara deri në 179 km/h në rrugën interurbane Vlorë-Fier, dhe 9 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!