Të tjera detaje zbulohen nga dosja e SPAK për akuzat ndaj ish-zëvendës ministres së Brendshme Rovena Voda e akuzuar për marrje ryshfeti kundrejt një vendi pune. Gjatë përgjimeve të kryera nga prokuroria kundrejt 32-vjeçares Florida Beu, e cila kërkonte të punësohej, avokates Majlinda Hasani dhe zv.ministres në atë kohë Rovena Voda është arritur të dilet në konkluzion se është konsumuar vepra penale e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm.
Prokuroria e Posaçme në funksion të hetimeve, për të përcaktuar përgjegjësinë e të hetuarave janë marrë të dhëna nga institucionet përkatëse për të saktësuar se cilat kanë qenë kompetencat konkrete të shtetases Rovena Voda në cilësinë e zëvendës ministres së Brendshme. Me urdhrin e ministrit të Brendshëm janë parashikuar kompetencat konkrete të secilit prej zv.Ministrave të Brendshëm, por nuk konstatohet se shtetasja Rovena Voda të ketë pasur kompetenca konkrete për të vendosur mbi pranimin/emërimin e punonjësve të shërbimit civil.
Bazuar në ligjin “Për shërbimin civil”, procedura e pranimit në shërbimin civil për pozicionet ku ka aplikuar shtetasja Florida Beu, zhvillohet nga Departamenti i Administratës Publike dhe Komiteti i Përhershëm i Pranimit i cili ripërtërihet çdo vit. Emërimi i punonjësve në shërbimin civil nuk kryhet nga institucioni në varësi të të cilit është vendi vakant, por emërimi kryhet nga Departamenti i Administratës Publike.
Sipas urdhrit të ministrit të Brendshëm, janë parashikuar dhe kompetencat e secilit prej zv.ministrave të Brendshëm, por nuk konstatohet se Rovena Voda të ketë pasur kompetenca konkrete për të vendosur mbi pranimin/emërimin e punonjësve të shërbimit civil.
Sipas prokurorisë, në rrethanat e mësipërme, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova konkrete se shtetasja Rovena Voda në cilësinë e Zëvendës ministres së Ministrisë së Brendshme ka pranuar dhe ka marrë nga shtetasja Florida Beu nëpërmjet ndërmjetësimit të shtetases Majlinda Hasani, përfitime monetare dhe materiale të parregullta, me qëllim për të ushtruar ndikimin e saj për të siguruar punësimin e shtetases Florida Beu në shërbimin civil, në kategorinë ekzekutive.
Vepra penale konsiderohet e konsumuar që në momentin e ofrimit/dhënies së përfitimeve të parregullta për shtetases Florida Beu dhe Majlinda Hasani, si dhe që në momentin e kërkimit/ marrjes së përfitimeve të parregullta nga shtetasja Rovena Voda, pavarësisht nëse ndikimi është kryer apo nëse pasojat e dëshiruara nuk kanë ardhur.
Sa i përket masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ dhe jo arrest me burg, Prokuroria thotë se duke vlerësuar rëndësinë e faktit, sanksioni që parashikon vepra penale, duke vlerësuar edhe shkallën e nevojave të sigurimit në rastin konkret, duke pasur parasysh rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale, të cilat dënohen respektivisht në maksimum deri në tre dhe deri në katër vjet, duke marrë në konsideratë vlerën konkrete të përfitimeve të padrejta, duke vlerësuar faktin se personat nën hetim janë të gjinisë femërore në raport edhe me gjendjen e tyre familjare, vlerësojmë se ndaj personave nën hetim Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florida Beu, duhet që të vendoset masa e sigurimit personal “arrest në shtëpi”.
Për punësimin e Florida Beut, nënë e tre fëmijëve, vetë e interesuara, Majlinda Hasani, me profesion avokate dhe zëvendës ministrja Voda janë takuar disa herë, konkretisht më 25 shkurt, 28 shkurt dhe 6 mars 2020.
Biseda e bërë më 15 shkurt mes Florida Beut dhe familjarëve të saj, konkretisht nënës.
Florida: Me ato lekët që do më sjellë Gerti do t’i blej naj gjë asaj Rovenës që të paktën ta ndiejë një çik si detyrim ajo.
E ëma: Ishalla o Zot i madh, dritë ia bëftë edhe asaj Zoti!
Florida: I tha pa merak i tha se kjo do ta shpërblejë, njëqind herë i tha hajde të dalim për darkë e andej e këndej, e kemi lënë të enjten.
E ëma: Po çfarë është kjo tani?
Florida: Zëvendës ministre.
E ëma: Tani ça pikë synimi ke ti që të fusi aty?
Florida: Në ministri.
E ëma: Po ça me u bë? Nuk mund të pyesja dot në telefon unë edhe kështu u ulëm të bënim pak muhabet.
Florida: Mjafton të futem se ajo tha, i tha Majlinda që unë dua një vend të mirë për këtë, ajo i tha unë direkt për shefe nuk e fus dot, po do ta fus specialiste i tha.
E ëma: Ty të pëlqen kjo?
Florida: Po, po mami se futesh në ministri është gjë e madhe të futesh në ministri dhe me DAP, me Dap është ajo që të regjistron, futesh me provim, ti bën provimin pyetjet t’i jep se do t’i jap kafen unë, ajo Albana që mori ajo në telefon edhe po u fute aty pastaj se atë tha dhe ajo Rovena, mjafton të fusë këmbët se pastaj pas një viti e rrisim në post, po vetëm të futet se unë po të kisha mundësi e fusja tek kabineti im tha.
E ëma: Po pse?
Florida: Po është ky ministri po janë kështu këto mami që hahen me njeri-tjetrin e kupton, unë do marr Albanën se Albana është shefja di ku ka vende pune në ministri ajo i vë e mori në telefon atë e la për dje në ora dhjetë edhe tani prandaj nuk du me iu nda unë.
Florida: Tani duhet nai lek me i dhënë asaj Albanës.
E ëma: Epo kjo si ta bëjmë.
Florida: Se di po më rri mendja aty.
E ëma: Mos iu ndaj Emirjanit o gocë më duhen.
Florida: Po duhen pagujt ato.
Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!