“Unë jam i vogël përpara Erdoganit, por Serbia jo”, Vuçiç për Presidentin e Turqisë: Do bisedojmë për lobimet për Kosovën. Do përpiqemi që…

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të mërkurën se do të bisedojë me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, lidhur me paralajmërmin e këtij të fundit rreth lobimit për njohje të reja për shtetësinë e Kosovës.

“Turqia është superfuqi, Erdogani është lider i madh. Unë do të përpiqem të flas me të. Deri më 1 shtator e kemi për detyrim që të përmbahemi nga lobimi, por nëse ata fillojnë para kësaj periudhe… Turqia është supefuqi, Erdogani është i madh, unë jam i vogël dhe i papërfillshëm, por Serbia nuk është aq e vogël sa të mos përpiqet që ta kundërshtojë këtë çështje”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në Manastirin Mansija në zonën perëndimore të Serbisë.

Serbia, me Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit, 2020, ka marrë obligim që ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ndërsa Kosova ka marrë mbi vete obligimin që të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare për një vit.

Presidenti turk, Erdogan, ka thënë më 19 korrik se do të punojë për t’i sjellë Kosovës njohje të reja.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Erdogan u ka thënë mediave turke se shpreson se çështjen e njohjes ndërkombëtare të Kosovës do ta hapë në bisedimet me presidentin amerikan, Joe Biden, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, këtë vjeshtë.

Erdogan ka thënë se do të propozojë një punë të përbashkët mbi këtë çështje, për të rritur numrin e vendeve që e njohin Kosovën.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.

Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, janë 117 vende që e njohin pavarësinë.

Serbia, qysh në vitin 2017, thuhet se bën fushatë diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës.

Si pasojë e këtij lobimi, disa vende thuhet se i kanë ngrirë raportet e bashkëpunimit me Kosovën./ Marrë nga REL

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes