Ky është Enkelejd Çaushi. Jeta e tij u ndërpre padrejtësisht në moshën 15-vjeçare mbrëmjen e djeshme, kur u përplas nga një makinë.

Ngjarja e rëndë ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Ksamil. 15-vjeçari së bashku me 3 persona të tjerë po shtynin makinën e tyre, pasi kishte pësuar defekt.
Në këtë moment, një tjetër makinë i përplasi, duke lënë të plagosur rëndë 15-vjeçarin dhe një 24-vjeçar.

Siç përcjellin mediat lokale në Sarandë, Enkelejdi humbi jetën vetëm pak kohë më pas, ndërsa i plagosuri tjetër u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Për ngjarjen, Policia e Vlorës, vuri në pranga shoferin e makinës që i përplasi, 20-vjeçarin Elidon Aliu.

Ndërkohë, këtë të premte, familja Çaushi në Sarandë ka hapur dyert e mortit, ndërsa 15-vjeçari do të përcillet për në banesën e fundit në orën 15:00.
Enkelejd Çaushi, ishte nipi i poetit sarandiot Eduart Veli. Ky i fundit, në rrjetet sociale ndan një dedikim vërtetë prekës për 15-vjeçarin që nuk jeton më.