Spartak Ngjela i ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga zbuloi se çfarë i thanë italianët të atit në 1930-ën për arin që ishte në Shqipëri. Ngjela thotë se në Shqipëri ka pasur shumë ar, por nuk ditëm ta mbajmë.
“Im at e njihte mirë tregun në Shqipëri se kishte qenë 27 vjet ministër i Financave dhe drejtor banke në kohën e Italisë. E mora unë në 1993-shin.
-Eja, i thashë, të shohim treguan.
-E kam parë me kohë, më tha. Në treg ka minimumi 3 miliardë dollarë. Por ku janë këto 3 miliardë dollarë se këta nuk kanë eksport? Unë i thashë për remitancat. Çfarë remitancash, më tha babai, atëherë 200 mijë emigrantë kishte.
Pse me 200 mijë emigrantë krijohen 3 miliardë dollarë? Doli ari, më tha. Kur unë u bëra ministër i Financave në 1948-ën, vajta te Hoxha dhe i thashë:
“Të tentojmë të mbledhim arin.” Se e mblidhnin arin ata. Ai kishte qenë drejtor banke, e dinte sa ar kishte këtu sepse e kishin studiuar italianët.
Edhe tregtia në atë kohë bëhej me ar. Qe ar i madh në Shqipëri. Ne nuk ditëm ta vinim në realizim. Me atë ar do të ishim zhvilluar shumë. Italianët i kishin thënë babait se Shqipëria kishte ar më shumë se Italia. Flas në 1939-ën. Histori i vjetër ajo.
Se këtu kishin kaluar edhe pashallarë. 1/3 e arit që grumbulluan këta ua morën tregtarëve shqiptarë. Ia morën me metodat e tyre, tatime të jashtëzakonshme. Më atë 1/3-të Ramiz Alia mbajti tri vjet pushtetin.
Kur i thashë tim eti që 1/3-ën e arit e shkatërruan këta, më tha: “Mizerabël.” Kur e pyetën Ramiz Alinë se si e prishi arin. “Mbajta popullin me bukë!”, tha ai. Në vend që të hapte ekonominë siç u hap më pas, prishi thesarin e shtetit.”, tregoi zoti Ngjela.