Fytyra të bukura, simpatike, brune e bionde, me një buzëqeshje natyrale, me një zë melodioz, qëndrim karakteristik, me një shqiptim korrekt, kështu kanë mbetur në memorien e publikut televiziv.
Mimoza ishte vetëm 17 vjeç, në 1974 kur bëri daljen e saj të parë televizive.
“Nga marsi i ’74-s deri në vitin 1999, periudha kur jepja lajmet dhe ishte dalja ime e fundit. Si folëse nga vjeshta e ’74-s, deri në gushtin e 85-s. Nga televizioni jam larguar në vitin 2014 dhe nga 40 vite punë në TVSh, 25 vjet i kam në ekran, por kam punuar edhe si montazhiere, kjo pas lindjes”, tregon ajo në një ndër intervistat e saj të rralla.
Sot, Mimoza është 65 vjeç dhe jetën e saj e ka ndërtuar larg ekranit dhe larg vendlindjes, në Amerikë.
“Janë vite, një pjesë tjetër e jetës kjo që e ndaj midis Shqipërisë dhe Amerikës. Jetoj me vajzën në shtetin Oregon, qyteti Portland, nga krahu i Paqësorit.
Një vend pa shqiptarë, qëndroj pak me shoqërinë e vajzës, që habiten kur mësojnë se kam punuar në televizion. Jam gjyshe me nipër e mbesa dhe kemi kënaqësinë të rrimë afër atyre, por Tiranën, televizionin e kujtoj me nostalgji, me merr malli, pasi jam larg nga miqtë, nga gjithçka, edhe pse shkoj e vij sistematikisht në Shqipëri”, shprehet ndër të tjera Mimoza Tafaj.