‘Çmendet’ moti/ Bora ‘pushton’ këtë vend, humbin jetën 35 persona

Të paktën 35 persona humbën jetën ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën pasi shiu i ftohtë dhe reshjet e papritura të borës goditën zonat e thella të Pakistanit gjatë fundjavës.

Njëzet e dy fëmijë ishin midis viktimave, shumë prej të cilëve u shtypën nga rrëshqitjet e dheut që groposën shtëpitë e tyre, thanë autoritetet e menaxhimit të fatkeqësive.

Moti ekstrem goditi rajonet veriore dhe perëndimore të Pakistanit, duke bllokuar rrugët dhe duke dëmtuar qindra shtëpi.

Mushtaq Ali Shah, një ish-drejtor i departamentit meteorologjik të vendit, ia atribuoi kushtet e pazakonta ndryshimeve klimatike.

Ai shtoi se një stuhi e lehtë breshëri që zgjat “për disa çaste” nuk do të ishte aq befasuese, por është e pazakontë që kjo të vazhdojë për mbi 30 minuta. Hajit Shah, një banor i rrethit Kirk në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, tha se kishte përjetuar borë në lagjen e tij vetëm një herë më parë.

“Me sa mbaj mend, kishte reshje të lehta bore për disa minuta rreth 25 apo 30 vjet më parë”, tha ai për BBC.

Shirat e dendur shkatërruan plotësisht të paktën 150 shtëpi dhe dëmtuan pjesërisht 500 të tjera, kryesisht në Khyber Pakhtunkhwa dhe provincën jugperëndimore të Balochistanit, thanë autoritetet.

Prej disa ditësh në disa rrethe është ndërprerë plotësisht energjia elektrike.

Qeveria provinciale e Khyber Pakhtunkhwa ka ofruar ndihma për zonat e prekura dhe ka njoftuar ndihmë financiare për të lënduarit dhe familjet e atyre që vdiqën.

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes