Blerina Bombaj: 6 këshilla si t’i evitoni kilogramët!

Dimri jo vetëm për shkak të festave të shumta, por edhe për arsye të temperaturave të ulta, na predispozon të bëjmë më pak aktivitet fizik dhe të kërkojmë më shumë ushqime që na bëjnë të ndjehemi mirë. Këto ushqime nuk janë frutat dhe zarzavatet, por janë zakonisht ushqimet që kanë shumë yndyrë si djathi, mishi i kuq etj. Një gjë është e sigurt: në dimër hamë më shumë.

Zakonisht në dimër rezultojmë me 3-4 kilogramë më shumë. E mira e kësaj historie është që për marrjen e kilogrameve gjatë dimrit nuk janë përgjegjës i ftohti dhe errësira për shumicën nga ne.

Një përqindje e vogël e njerëzve gjatë dimrit shfaqin një “çrregullim afektiv sezonal” që është një depresion klinik sjellë nga ditët e shkurtra të dimrit; shumë nga këta persona kanë probleme të mbingrënies. Për pjesën tjetër kilogramët e marra në dimër janë pasojë e uljes së aktivitetit fizik dhe rritjes së konsumit të ushqimit. Këtë dimër përgatituni të ndiqni 5 rregullat tona për të parandaluar shëndoshjen.

1. Ushtrime, ushtrime, ushtrime

Regjistrimi në një program të rregullt aktiviteti fizik është kyçi i ruajtjes së peshës. “Në orën 5 që ktheheni në shtëpi është shumë e lehtë të shtriheni në divan, të shihni televizor dhe të pickoni ndonjë ushqim të mirë. Prandaj, sa të përfundoni në këto pozita depozitimi të dhjamit, aktivizohuni që përkundrazi, të ktheheni në një makinë djegëse kalorish duke frekuentuar palestrat apo pishinat apo duke bërë vrap në natyrë.

2. Mos dilni nga shtëpia pa ngrënë

Kjo këshille nuk vlen vetëm për mëngjesin, por edhe për darkën. Kur bëhemi gati të dalim për të pirë ndonjë gotë në darkë me shoqëri, kujdesuni të dilni nga shtëpia të ngrënë. Në këtë rast do të ishte mirë të konsumoni fruta dhe një sallatë të plotë pasi në këtë mënyrë do të ulni ndjeshëm dëshirën për të ngrënë ushqime thjesht kalorike dhe pa vlera ushqyese. Është vënë re se personat që hanë jashtë konsumojnë rreth 40% më shumë kalori nga ata që mjaftohen me ushqimin e shtëpisë.

Shoqërimi i alkoolit me ushqim është një nga veprimet që na shtojnë më shumë kalori pa e kuptuar. Në përgjithësi konsumi i alkoolit rrit dëshirën për ushqime kalorike, prandaj bëni kujdes që krahas kalorive të alkoolit mos t’i ngarkoni trupit edhe shumë të tjera.

3. Evitoni alkoolin

Alkooli ka kalori. Duke qenë prezent në shumicën e festimeve është e lehtë të na shtojë kalori gjatë ditës, kalori të cilat nuk na ngopin. Pini një gotë ujë me çdo porcion alkool, në mënyrë që të ulni përqëndrimin e etanolit, kalorive të tij, por dhe të hidratoheni.

4. Ekuilibroni kaloritë dita-ditës

Nëse e teproni me ushqimin një ditë mos lejoni “të demoralizoheni”, se është më keq. Thjesht rikuperoni dhe korrigjoni duke ngrënë më pak ditën tjetër si dhe përpiquni të lëvizni më shumë. Përpiquni të lëvizni jo vetëm në palestër apo pista vrapi, por edhe me çfarëdo lloj mënyrë, p.sh ecni në këmbë me ritëm të shpejtë për në punë, merrni shkallët në vend të ashensorit etj.

Sikur të siguroni 100 kalori më pak nga ushqimi ose të digjni 100 kalori më shumë, duke lëvizur do të përfitoni 5 kg peshë trupore më pak në vit.

5. Mos u kurseni me kanellën

Kanella është një erzë që i jep dimrit aromën më të ngrohtë. Përdoreni gjerësisht atë në qumështin me tërshërë të mëngjesit, në çajrat bimorë, në salcat e mishit, në kek, syltjash e kudo tjetër që mund të mendoni. Ajo ju largon dëshirën për sheqer, ndërkohë që e ndihmon organizmin të djegë në mënyrë optimale karbohidratet e ushqimit.

6. Largoni mendjen nga ushqimi

Roli kryesor i festave është të takohemi me njerëzit që dëshirojmë dhe të argëtohemi dhe jo ti “futemi me kokë ushqimit”. Prandaj kur të ndesheni në ambiente që ushqimi ju tundon, mendoni edhe njëherë arsyen përse ndodheni aty. Për të ngrënë? Jo! Për të ngrënë mund të mjaftoheshit edhe në shtëpinë tuaj.

Shpeshherë e gjejmë veten duke ngrënë edhe për arsye se s’kemi me çfarë të mbushim boshllëkun që ndiejme kur s’kemi çfarë bëjmë ose kur jemi të merzitur. Mendoni që trupi ynë nuk na e ka për borxh ta keqtrajtojmë në këtë formë. Nuk kemi pse ta ngarkojmë me ushqim kur ai nuk e ka të nevojshme.
Kaloritë na duhen për të jetuar dhe për të punuar, jo për të na ngushëlluar

Proudly powered by WordPress | Theme : News Elementor by BlazeThemes